Asnjë shenjë për takimin Berisha-Rama

Asnjë shenjë për takim me Ramën nuk ka lënë kryeministri Berisha megjithë këmbënguljen e gazetarëve pas mbledhjes së KRRTRSH-së. Shefi i maxhorancës e ka kaluar me një buzëqeshje pyetjen duke lënë pas vetëm deklaratat brenda aktivitetit për zhvillimin e territorit.
Gjithsesi deklaratat e kryeministrit brenda KRRTRSH-së nuk kanë shmangur batutat për rivalin e tij politik. "Shqipëria po vlerësohet si një vend me prespektive në fushën e hidrokarbureve dhe fakti që kthehemi në Shpirag tregon se të dhënat janë më bindëse për fusha të mëdha me naftë në vend. Shpimi i pusit ndodh dhe kjo rrugë ndërtohet pikërisht në fshatin Edi Ramës. Unë e kam vizituar dy herë dhe biri i tij i çmuar nuk e ka vizituar asnjëherë. Piktori doli i dështuar pavarësisht nga pejsazhet atje” theksoi më tej Berisha.
Përtej shpimeve për naftë në fshatin e origjinës së kryesocialistit, kryeministri dhe anëtarët e tjerë të KRRTRSH-së kanë miratuar edhe disa projekte të tjera të rëndësishme në hapësirën shqiptare, përfshirë këtu edhe planin rregullues të Himarës, Lushnjës, planin rregullues për zonën bregdetare në zonën e Synejit në Kavajë. Po ashtu KRRTRSH miratoi edhe studimin për pusin e Shpiragut, ndërtimin e HEC-it në Bënçë në Tepelenë.