Topi: Berisha ka ozurpuar shtetin, opozita sheh ëndrra me Kryeministër

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ka drejtuar grykën e topit të akuzave nga mazhoranca dhe opozita, duke i bërë përgjegjëse për monopolizim të votave të shqiptareve. Nga qyteti i Lezhës ku zyrtarizoi hapjen e degës së kësaj partie, Topi është shprehur se demokracia në Shqipëri nuk është funksionale, duke shtuar se Berisha po e çon vendin në diktaturë, ndërsa opozita nuk bën opozitë.
“Demokracia në Shqipëri nuk është funksionale. Dy partitë e vjetra kanë monopolizuar votën e shqiptarëve. Berisha po e çon vendin në diktaturë, ka uzurpuar të gjithë institucionet. Opozita nuk bën opozitë, por sheh ëndrra me Kryeministër” është shprehur Topi.
Fryma e Re Demokratike është një forcë politike e qendrës së djathtë, e cila u zyrtarizua si forcë në fund të muajit prill. Në strukturat e kësaj force politike janë angazhuar emra të njohur të jetës politike, kryesisht personalitete që për vite me radhë janë angazhuar në Partinë Demokratike, si deputeti Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Sali Shehu, Besnik Mustafaj etj.