E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi zbardh takimet sekrete në Bruksel: Berisha prishi negociatat

Kryeministri: Kompromisi? PS të ngrejë kartonin për të gjitha ligjet që kërkojnë 84 vota

Demokratët vendosin kushte të reja për socialistët. Deklarata e dy grupimeve politike të Parlamentit Europian për situatën në Shqipëri jo vetëm që ka ndezur debatin në Kuvend, por ka nxjerrë në dritë edhe propozimet e reja që mazhoranca i adreson opozitës. Kryeministri Berisha ka kërkuar dje konsensusin e socialistëve për një seri ligjesh që kërkojnë 84 vota. Mazhoranca i ofron opozitës ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas propozimeve të Partisë Socialiste, imunitetin e deputetëve dhe gatishmërinë për t’i dhënë shumicën e komisionit hetimor për zgjedhjet opozitës, por ka shprehur në mënyrë të qartë se për çështjen e kutive nuk ka asnjë diskutim. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, mbron idenë se opozita nuk tërhiqet nga çështja e kutive dhe sipas tij, është Kryeministri ai që po minon kompromisin duke refuzuar të firmosë paktin e ofruar nga ndërkombëtarët. Doza e ironisë dhe akuzave mes Berishës dhe Ruçit ka dominuar më pas punimet e seancës së djeshme të Kuvendit.

Zgjedhjet lokale

Kryeministri akuzoi socialistët se prej muajsh po hartojnë një plan për të bojkotuar zgjedhjet lokale. “Që në momentin kur u shtrua kërkesa që binte ndesh me vendimet e gjykatës kam pasur bindjen absolute se ka vetëm një qëllim që të mos merret pjesë në zgjedhjet lokale dhe të bëhet do gjë për të penguar rrugën drejt integrimit”, tha Berisha. Por nga ana tjetër, numri një i grupit parlamentar socialist e quajti Kryeministrin mashtrues dhe demagog.

Negociatat në Bruksel

Në replikën me Kryeministrin Berisha, deputeti Ruçi zbardhi në Kuvend detaje nga negociatat në Bruksel për zgjidhjen e krizës politike. “Pas takimit në Strasburg mes Ramës dhe Berishës, janë zhvilluar edhe dy takime të tjera në Bruksel mes të dërguarve. Përfaqësuesi i PS-së ishte dakord me marrëveshjen, por përfaqësuesi i Berishës i tha ‘stop’ asaj, dy herë”, tha Ruçi, duke shtuar se “ju nuk doni ta zgjidhni këtë krizë”.

Bushati

Deputeti socialist, Ditmir Bushati, i kërkoi mazhorancës të gjejë një zgjidhje për krizën politike. Duke shfrytëzuar debatin e lirë në Kuvend, deputeti Bushati kërkoi të gjendet një konsensus për gjetjen e krizës politike. “Kriza po përkeqësohet, duhet konsensus”, tha Bushati duke iu referuar deklaratës së një dite më parë të Parlamentit Europian. “Deklarata e PPE-PSE ishte një lajm i keq”, tha ai, duke theksuar se “vendi ndodhet përballë krizave të mëdha dhe është koha për bashkëpunim me opozitën”.

Batutat

“Vitin e kaluar thashë se do të rrija edhe 35 vite në këtë sallë, por të nderuar kolegë të opozitës, nëse vazhdoni në këtë mënyrë do të më shikoni edhe për shumë, shumë vite në atë kalë ku jam ulur edhe sot”, tha Berisha. Replika nga socialistët ishte e menjëhershme me po të njëjtën dozë ironie nga kreu i grupit parlamentar të PS-së. “Zoti ua shtoftë jetën biologjike, por jetën politike nuk e keni në dorë ju. Po vazhduat në këtë mënyrë, dhe po punuat mbrapsht nuk e keni të gjatë”, tha Ruçi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›