Ruçi:Ndalni aktet banditeske në qarkun e Fierit
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi ka paralajmëruar mazhorancën që të ndalë atë që ai e cilësoi "akt banditesk”, duke iu referuar zgjedhjes së kreut të Këshillit të Qarkut Fier, pa praninë e opozitës.
Duke folur në seancën e Kuvendit, Ruçi theksoi se nëse nuk anulohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit të këshillit të qarkut të Fierit atëherë situata politike në vend do të përkeqësohet edhe më tej.
“Në një kohë që ne ulemi dhe nënshkruajmë një marrëveshje, nga ana tjetër maxhoranca në qarkun e Fierit në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin për pushtetin vendor, dy vendime gjykatash për të njëjtin qark, ndodh një akt banditesk duke uzurpuar Këshillin e Qarkut Fier. Opozita do i qëndrojë marrëveshjes, por nëse maxhoranca nuk ndal veprimet banditeske dhe në kundërshtim me shtetin e së drejtës, jo vetëm klima politike nuk përmirësohet, por përkeqësohet dhe faji do jetë juaj. Ne u paralajmërojmë ndaleni këtë veprimtari”- tha ai.
Ai ka paralajmëruar nëse nuk ndalojnë këto akte banditeske atëherë përgjegjësia e përkeqësimit të situatës politike do të jetë vetëm e mazhorancës.