Sequi:Miratimi i ligjeve, shenjë për progres drejt integrimit

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka përshëndetur sot konsensusin mes partive politike për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.
Në një prononcim për mediat pas daljes nga Kuvendi ku ndoqi seancën plenare, ambasadori Sequi theksoi se sot ishte një ditë positive për Parlamentin shqiptar.
“Mendoj se ka nisur një proces pozitiv që do të çojë në reformat ë rëndësishme si ajo e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare si dhe disa kode që kërkojnë shumicë të cilësuar” ka theksuar Sequi.
Ambasadori Sequi theksoi gjithashtu se miratimi i kodeve të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament është një shenjë për progres drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Rruga drejt Bashkimit Europian është e gjatë por ne ju mbështesim. Rruga drejt integrimit bazohet në dialog. Ka prioritete që Shqipëria duhet të plotësojë” ka theksuar më tej Sequi.