VIP-at shqiptarë në ditën e të dashuruarve
Ani JaupajKa nga ata që e urrejnë, të tjerë e duan, ca e shpërfillin krejt, ca e festojnë... Me pak fjalë, kjo festë a ç’emër doni t’i vini, gjithnjë të bën të diskutosh. “çdo gjë, që ne dimë nuk është e vërtetë, përveç marketingut”! Në fakt, kohët e fundit, më shumë se sa objekt bisedash, Shën Valentini është bërë objekt biznesi. Kanë mbetur shumë pak ata që ende e idealizojnë, duke e ngjyrosur këtë ditë me çokollata, darka, qirinj... ama asnjëherë nuk kanë për t’u zhdukur. Askush, tani, nuk ka më nevojë të marrë bekimin e Valentit, sipas njërës nga legjendat, për të kurorëzuar dashurinë. Simbolika e 14 shkurtit është vakur, aq sa ka gjasë që për shumicën, të kujtohet vetëm nga edicioni qendror i lajmeve në hapësirën që prej vitesh i kushtohet liqenit e mimozave. Por le të mos e shohim kaq ngrysur. Agjencitë e udhëtimeve për shembull, janë adresa më e mirë e këtyre datave. Këtë vit, çiftet që kanë ndërmendur ta shijojnë ndryshe këtë festë kanë qenë të favorizuar edhe nga dita. Të qëllojë e diel do të thotë ta llogarisësh udhëtimin që prej së premtes. Kështu, fundjava e dashurisë shijohet më gjatë. Edhe pse mbesim brenda komercit të datës. Po dikur si ka qenë? Kush ka qenë shenjti Valentin që turbulloi gjithë muajin Shkurt!?Origjina e festës së të dashuruarve është tentativa e kishës katolike për t’i dhënë fund një riti popullor pagan për fertilitetin. Për romanët antikë, muaji shkurt konsiderohej si periudha në të cilën përgatitesh për ardhjen e pranverës, quajtur si stina e rilindjes. Nisnin ritet e purifikimit, pastroheshin shtëpitë. Nga mesi i muajit, rrugëve të qytetit shpërndahej gjaku i ujqërve si shenjë fertiliteti. Por riti që e përfaqësonte më mirë këtë kohë i përkiste një lloji lotarie të dashurisë. Emrat e burrave dhe grave që e adhuronin këtë zot, mblidheshin, përziheshin dhe një fëmijë zgjidhte rastësisht mes tyre. Të përzgjedhurit, për një vit me radhë do jetonin në intimitet, deri sa riti i fertilitetit të përsëritej, për tu pasuar nga një tjetër çift. Priftërinjtë, të vendosur për t’i dhënë fund kësaj praktike, kërkuan një “shenjt të të dashuruarve” për të zëvendësuar Lupercusin, nismëtarin e akteve të shëmtuara që bëheshin në qytet me gjakun e ujqërve. Papa Gelasio e anuloi këtë festë pagane në 469 p.k dhe nisi ta zëvendësojë me kultin e San Valentinit. Kështu, San Valentini u bë padron i dashurisë dhe mbrojtës i të dashuruarve në të gjithë botën. Valentino, ia kushtoi jetën e tij një komuniteti kristian në qytetin Terni. Më pas, legjenda rreth tij tregon se ishte i pari besimtar që celebroi bashkimin mes një pagani dhe një kristianeje. Vijimi i historisë ka dy finale të ndryshme. Sipas një versioni, kur Perandori Aurelio urdhëroi persekutimin kundër kristianëve, San Valentino u burgos e u keqtrajtua jashtë qytetit për të evituar represaliet nga mbështetësit e tij. Ndërsa versioni i dytë tregon se Valentini, me dinjitet, refuzoi të hiqte dorë nga feja e tij. Në 24 shkurt 270 p.k Valentini u vra. Sipas historisë, përveç të tjerash, pohohet se ndërsa Valentini ishte në burg, në pritje të ekzekutimit, u dashurua me të bijën e verbër të gardianit, Asterius, dhe me besimin e tij i risolli shikimin. Thuhet se përpara vdekjes i dërgoi një mesazh lamtumire që përfundonte “Nga Valentini juaj!” një frazë që asokohe u bë sinonim i dashurisë. Po sot? Sa ka mbetur nga ajo deklaratë! Sa e ‘konsiderojnë’ ende festë e sa jo?! Ne kemi pyetur disa çifte që tani nuk është se kanë të gjithë kohën e botës për tu përkushtuar ndaj këtyre festave, ama krejt në hije nuk e lënë. Sepse edhe po të mos donin kanë një tjetër ngjarje që më shumë se për dashurinë mes tyre, u kujton ditën kur për herë të parë janë bërë prindër. Saimir me Enkela Braho kanë sjellë në jetë djalin e parë, Adrielin, pikërisht në 14 shkurt. Enada Hoxha dhe Gerd Vaso po ashtu. Po të mos mbetemi vetëm te ta, e zgjerojmë rrethin më tej te çiftet që kanë më shumë kohë për njëri – tjetrin e nuk u është zhvendosur ende vëmendja te fëmijët. Elia Zaharia dhe Princ Leka ka të ngjarë që ta kenë Shën Valentinin e parë që festojnë bashkë, së paku të parin të deklaruar. çfarë bëjnë? Ku shkojnë? Sa hapësirë e vëmendje i japin kësaj dite?Kujdes: nuk kemi mbaruar! E dimë që ka edhe ca nga ju që po lexoni shtrembër, në rastin më të mirë, ose mund të keni kthyer edhe faqe tashmë. Në fakt, anëtarët e grupit, hipotetik, anti Shën Valentin, dëgjohen të prononcohen gjithnjë e më shumë se ata të tjerët, pro. Po fundja e diel është, një drekë jashtë qytetit kushdo mund ta hajë. Nëse dhuratat janë ‘harruar’ me kohë, ska gjë, të paktën, sidoqoftë, jeni bashkë!Saimiri e Enkela, dashuri e ndarë me fëmijët Për Saimir dhe Enkela Brahon nuk ka mbetur shumë kohë për darkat e gjata romantike, për të mos thënë fare. Nuk ka pak ditë që ka ardhur në jetë fëmija i tretë, Aroni. Ashtu si vëllai i tij i madh Adrieli, edhe Aroni ka lindur në muajin shkurt, por me disa ditë ndryshim. Nëse pak ditë më parë gëzuan pa masë pjesëtarin e tij e pestë të familjes, sot, në datë 14 shkurt festojnë ditëlindjen e djalit të parë. Merreni pak me mend atmosferën familjare. Mes gjithë asaj rrëmuje e të qeshurave apo të qarave të tre fëmijëve që janë në vit të njëri – tjetrit, mamit dhe babit nuk i ngelet gjë tjetër veç se të administrojë situatën ‘kaotike’ në familje. Nëse nuk do të ishte kështu, ata të dy nuk kanë asgjë kundër Shën Valentinit, do ta gëzonin siç kanë bërë dikur, me një darkë, një të dalë ndryshe nga të zakonshmet apo duke shkëmbyer ndonjë dhuratë. Tani të gjitha dhuratat i ka marrë Adrieli. Bashkë me vëmendjen e mamit dhe babit.Enada e Gerdi në ditëlindjen e RoanitSituata lundron pak a shumë në të njëjtat ujëra edhe për Gerd Vason e Enada Hoxhën. Edhe djali i tyre i parë e deri më tani i vetëm, ka lindur më 14 shkurt. Ata janë padyshim më të qetë sepse nuk kanë edhe dy zëra të tjerë që këndojnë orë e pa orë. Në këto raste, për më tepër kur fëmija është i vogël, atmosfera e gëzueshme në shtëpi është e garantuar. Mami Enada, aq ngushtësisht e lidhur sa është me të birin, Roanin nuk mund t’i lerë asnjë tekë pa plotësuar, sidomos në ditën e tij të lindjes. Këtë do ta bënte, edhe sikur t’i duhej të hiqte dorë nga koha për t’i bërë dhuratën-simbol të shoqit, Gerdit. Përveç kësaj, tani janë të dy aq të impenjuar me provat e fundit përgatitore të spektaklit që do të nisë së shpejti “Dancing whith the stars”, sa që koha në të gjitha drejtimet është e limituar. Enada At’Nikolla një udhëtim në Monte Carlo Ka edhe nga ata fatlumët që në çdo rast do t’iu bënin zili. Edhe sikur një mijë mendime negative të kishit për Shën Valentinin, po të dëgjonit që Enada At’Nikolla bashkë me bashkëshortin Agimin do të niseshin pikërisht një ditë më parë, pra në datë 13, drejt Monte Carlos, të gjithëve do t’iu ngacmohej dëshira për t’iu bashkuar grupit. Udhëtimi është gjithnjë zgjedhja më e mirë pavarësisht që për ata të dy mund të jetë i disati brenda muajit. Nuk është rasti i paketave turistike ky i tyre. Kanë menduar vetëm që do ikin e do të argëtohen, kanë menduar edhe miqtë që do të kenë me vete, të tjerat janë të gjitha të pavendosura. Për dhurata asnjëri nga të dy nuk mendohet, nëse do t’iu pëlqejë gjë do t’ia marrin njëri- tjetrit aty për aty. Po kjo ka pak gjasë të ndodhë, duke qenë që asnjërit prej të dyve nuk i nevojitet asgjë. Elia e Princi Leka,dhurata në distancë Elia Zaharia, nuk e kishte menduar që piku i sezonit të provimeve do ta gjente pikërisht në ditët e mesit të shkurtit. Ndryshe i kishte bërë planet për së largu. Të mos ishte kështu, do ta kishte marrë avionin e do kishte udhëtuar nga Franca drejt Tiranës. Në mos ajo, të paktën do të kishte ndodhur anasjelltas. Mund të shkonte Princ Leka drejt saj, por ja që as ai nuk mundet. Këtë vit, do të mjaftohen me telefonatat dhe dhuratat në distancë.