E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rudi Vata, manaxher i Litbarskit te Hibernian në Skoci

Rudi Vata, sërish në skenën e futbollit si një nga menaxherët me të fuqishëm shqiptarë. Kësaj radhe bëhet fjalë për rekomandimin e bërë nga ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare për caktimin e ish-yllit të Gjermanisë, Pier Litbarskit në vendin vakant të trajnerit të klubit skocez Hibernian, apo Hibs sic thirren shkurt ata. Litbarski, që udhëhoqi klubin australian të Sidnej në fitimin e tre trofeve sezonin e kaluar dhe ishte një kandidatët për trajner të Kombëtares kuqezi, ka bërë tashmë aplikimin për postin e trajnerit të Hibs, që ndodhet në vendin e shtatë të kampionatit skocez me 12 pikë në 10 ndeshje.
46-vjecari Litbarski, një ish-kampion bote me Gjermaninë, dhe që ka drejtuar gjatë karrierës së tij si trajner Sidnej në Australi, Yokohoma në Japoni dhe Duisburgun në Gjermani, si dhe ndihmës te Bajer Leverkuzen, përfaqësohet sipas medias skoceze nga ish-mbrojtësi i Sëlltikut, Rudi Vata. Vata, beson se Litbarski mund të jetë njeriu ideal për të zëvendësuar Moubrej që dha dorëheqjen një javë më parë nga drejtimi i Hibernians. "Pier ka patur oferta nga dy apo tre vende por puna te Hibs është një nga ato që atij intereson maksimalisht. Skocia është një vend ku familja e tij mund të sistemohet dhe Edinburgh është një qytet perfekt për të", citohet Vata nga gazeta skoceze, "Scotland". Vata pohon gjithashtu se Litbarski është një zgjedhje e shkëlqyer për të marrë drejtimin e Hibs dhe për ta cuar në një nivel më të lartë. Vata shton: "Pier mund të mbështetet te puna e mirë e Tony Moubrej. Lojtarët e Hibs janë të rinj dhe kanë nevojë të mësojnë rreth lojës së futbollit. Pier ka fituar Kupën e Botës duke punuar me legjenda të tilla si Franc Bekenbauer dhe Rinus Mishels. Ai ka një karrierë të sukseshme si trajner dhe mendon dhe kur ha dhe kur fle vetëm për futboll. Lojtarët mund të mësojnë shumë gjëra të mira prej tij. Piere është një manaxher modern dhe që ka plot ide. Ai është i thjeshtë si njeri dhe mund të udhëheqë me shembuj cdo ditë në trajnim. Unë mendoj se do të ishte një goditje e madhe për Hibs përzgjedhja e Litbarskit", përfundon gazeta "Scotland" citimin e Vatës, të publikuar në faqen tribalfootball.com.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›