E Diel, 1 Nëntor 2026

Real Madrid-Barcelona, Spanja mban frymën për “Klasiken” e futbollit


Altin B. Kodra
Reali i Madridit dhe Barcelona vijnë në betejën e sotme, që do të luhet në ora 21:00 në mitikun "Santiago Bernabéu", pasi ka shijuar fate të ndryshme në mesjavë në ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Gjithsesi, ashtu sic ka treguar historia, forma pak rëndësi ka kur diskutohet për të famshmen ""'El Clásico" (Klasiken). Dy skuadrat përballen sot me njëra-tjetrën pas atyre rezultateve të kundërta në udhëtimet e mesjavës së veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës. Një fitore e thellë, 4-1 kundër rumunëve të Steauasë në Bukuresht, ishte pikërisht ajo që i nevojitej Realit të Madridit për të ngritur moralin e goditur në kampionat, por krejt e kundërta ndodhim me Barcelonën, e cila ishte padyshim e pezmatuar nga ajo humbje 0-1 në Londër përballë Celsit. Mbrojtësi i gjigantes madrilene, Fabio Kanavaro, beson se ndeshja e sotme do të jetë po aq e ngarkuar emocionalisht sa c'është gjithnjë përballja e këtyre dy rivaleve historike. "Liga e Kampioneve është krejt ndryshe nga kampionati spanjoll", - tha ai. "Ndeshjet midis Realit të Madridit dhe Barcelonës janë gjithnjë të vecanta, - shtoi Kanavaro. - Ato janë ndeshjet në të cilat cdo futbollist ëndërron të luajë dhe ku rezultatet e mëparshme nuk kanë asnjëlloj rëndësie." Kanavaro shtoi se ai është i kënaqur që do të luajë përkrah Iván Helgerës, i cili ka rifituar besimin e trajnerit Fabio Kapelo. "Iváni është një mbrojtës cilësor, i cili nuk i shmanget asnjëherë detyrave të tij në fushën e lojës, - tha kapiteni i përfaqësueses së Italisë. - Unë gjithnjë kam patur një admirim të vecantë për të dhe jam i kënaqur që ai është rikthyer në formacion dhe po luan aq mirë." Rikthimi i Ivan Helgerës duhet të jetë i mirëpritur edhe nga vetë Kapelo, i cili është detyruar ta ndryshojë shpesh repartin e mbrojtjes, pasi mbrojtësit e krahut, braziliani Sisinho dhe spanjoll Mícel Salgado, ende nuk e kanë marrë veten nga dëmtimet. Duke përjashtuar ndonjë aksident të casteve të fundit, trajneri italian i Realit, ka të ngjarë që t'i mbetet besnik atij formacioni që mundi në mesjavë Steauanë. Ndërkohë, Ronaldo nuk do të luajë dot sot kundër ish-klubit të tij, pasi po kreyn dënimin me një ndeshje pezullim, për atë karton të kuq që mori në atë humbje 0-1 kundër Getafesë, fundjavën e shkuar. Hozé Antonio Rejes e ka kapërcyer më në fund një dëmtim në kofshë, por ka të ngjarë që ndeshjen e sotme ta nisë në stol. Ndërkaq, Frenk Rajkard është i vetmi trajner i Barcelonës i cili ka fituar dy herë në "Santiago Bernabéu" dhe do të kërkojë një sukses të pashoq të trefishtë, që do ta mbante skuadrën e tij në krye të renditjes së kampionatit spanjoll, ndërkohë që rivalja madrilene, Reali, renditet i pesti. Por trajnerit holandez do t'i mungojë Huliano Beleti, i cili nuk luan dot për shkak të një dëmtimi në shpatull, si dhe i dëmtuari afatgjatë, Samuel Eto'o, ndërsa Karles Pujol duhet të luajë sot, pavarësisht se u ankua për një dhimbje kurrizi pas ndeshjes kundër Celsit. Mesfushori Deko është i bindur se e vetmja mënyrë që Barca ta harrojë atë humbje në Ligën e Kampioneve, është që të fitojë të dielën. "Kjo do të bëjë që ta lëmë pas atë humbje që pësuam në Londër, - tha braziliani i natyralizuar si portugez. - Do të japim gjithcka për fitoren të dielën, pasi askush nuk e dëshiron atë kaq shumë sa ne. Por, nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse Reali i Madridit do të jetë po aq i vendosur sa ne. Gjëja e fundit që ata do të dëshironin, ishte që të mundeshin në fushën e tyre."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›