Zijai: “Vetëtima”, gafa më e fundit e FSHF-së

Altin B. Kodra
Për ish-futbollistin e famshëm të Flamurtarit të Vlorës dhe, kreut të Federatës Shqiptare të Minifutbollit, Alfred Zijai, cështja "Vetëtima" është thjesht "seria" më e fundit në telenovelën e gafave joprofesionale të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Federatës Shqiptare të Futbollit. Sic dihet, drejtuesit dhe lojtarët e ekipit të futbollit "Vetëtima" të Himarës kanë protestuar të premten në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për mosngjitjen e ekipit të tyre në Kategorinë e Dytë. Reagimi vjen 2 ditë pas bllokimit të rrugës kombëtare, Sarandë-Vlorë nga banorët e Himarës, në shenjë revolte për vendimin e FSHF-së, vendim i cili, sipas kësaj të fundit, erdhi si pasojë e mosplotësimit të kushteve infrastrukturore. Problemet që lidhen kryesisht me kushtet e fushës, dhomat e zhveshjes apo dhe stadiumit, bënë që skuadra e Himarës, edhe pse e renditur në vend të parë në Kategorinë e Tretë, të mos ngjitet në Kategorinë e Dytë, duke lënë të lirë rrugën për skuadrat e Skraparit dhe Pojanit. Por, e gjithë kjo, sipas kreu të futbollit ‘të vogël", ka ardhur për shkak të neglizhencës, në mos keqdashjes, së segmenteve të caktuara në FSHF. "Jam i interesuar për këtë cështje dhe është për të ardhur keq që një qyteti të vogël, me traditë në futboll, i mohohet kënaqësia e të paturit të një skuadre në një kampionat kombëtar, të Kategorisë së Dytë, për më tepër kur kjo skuadër e kishte fituar me meritë këtë të drejtë", - thekson ish-futbollisti i famshëm vlonjat, duke folur për "Standard". "Ajo që ka ndodhur, është shumë e thjeshtë, - sqaron Zijai. - Klubi himariot ka siguruar, me shumë mundim, një kontratë me Bashkinë e Delvinës për t'i luajtur atje ndeshjet e saj, por, kjo kontratë, është harruar nëpër sirtare dhe, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, që, kësaj rradhe, si rrallëherë, me të vërtetë nuk ka faj, duke parë dokumentacionin e paraqitur, e ka cilësuar si të paplotë dhe, për këtë arsye, e ka refuzuar klubin e Vetëtimës, për të marrë pjesë në Kategorinë e Dytë këtë sezon. Por, e vërteta është se kjo nuk është kështu sic paraqitet ta paraqesë Federata." E vërteta, sipas Zijait, është se, ndryshe nga c'pretendohet, pasi klubi himariot i ka paraqitur të plota dhe në kohë dokumentacionin, duke plotësuar cdo kusht të vënë paraparakisht nga FSHF-ja. "Unë mund t'u pohoj, nga burime të sigurta brenda Federatës, se dokumentacioni i dorëzuar nga klubi i "Vetëtimës" ka qenë i plotë, por ai është harruar, falë pakujdesisë, ose keqdashjes, nëpër sirtarët e FSHF-së dhe, si rrjedhojë, nuk është paraqitur i plotë para Komitetit Ekzekutiv, - pohon Zijai, duke vazhduar intervistën e tij me "Standard". - Ky fakt, fshihet nga FSHF-ja, e cila, si gjithmonë, nuk i pranon gabimet e saj." Në fakt, Zijain e ka cuditur edhe përbërja e panelit që doli në konferencën për shtyp të dhënë për të sqaruar këtë cështje, pasi, përvec Sekretarit të Përgjithshëm, Roland Mici, tre të tjerët nuk kishin lidhje me këtë cështje. "Shpjegimet, përvec Micit, duhet t'i kishin Shefi i Sektorit të Garave, Hito Hitaj, dhe ai i Kategorisë së Dytë, Vasillaq Zëri, të cilët as nuk ishin të pranishëm para shtypit", - tha ai. "Klubi i Himarës nuk i kishte plotësuar këto kushte, ndërkohë që FSHF-ja ka shtyrë kampionatin dy herë, si për Himarën, ashtu edhe për skuadra të tjera, për t'iu ardhur në ndihmë dhe për t'iu lënë kohë këtyre klubeve për të rregulluar infrastrukturën e tyre, - pati deklaruar në konferencën e shtypit, Sekretari i Përgjithshëm, Roland Mici. - Por, klubi i Himarës nuk ka bërë asnjë përpjekje dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk janë përfshirë në listën e skuadrave që marrin pjesë në Kategorinë e Dytë." Një gjë të tillë, Zijai e hedh poshtë, si të paqenë dhe kërkon që, në vend që të vazhdojë të këmbëngulë në gabimin e saj, të gjejë përgjegjësit e kësaj ngatërrese, me pasoja të rënda për komunitetin e futbollit në Himarë dhe të nxitojë të korrigjojë gabimin, sepse kohë ka ende. "Ata që janë marrë me shefen e protokollit në FSHF, Z. Marjeta, e kanë të qartë sesi mbahen protokollet dhe si kujdeset për shkresat dhe, ky incident, nuk është aspak i papritur apo i cuditshëm për mua, - thotë Zijai. - Ajo që duket qartazi, është se FSHF-ja ka gabur dhe është dukshëm në kundërshtim me atë që thotë. Shikoni se cfarë thuhet në deklaratën e bërë në takimin me përfaqësuesit e klubit himariot: "... klubi i Himarës nuk plotëson asnjë nga 4 kushtet themelore të Licensimit. Në këtë mënyrë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, nisur dhe nga rregullorja e Aktivitetit Futbollisitik 2006-2007, që nuk i lejon ekipet të luajnë jashtë fushave të territorit të Bashkive përkatëse, nuk e ka miratuar fushën e skuadrës së Himarës." Kjo është pikërisht edhe ajo që Zijai e quan si absurde, "sepse, nëse skuadrat e përfshira në Kategorinë e Dytë për sezonin 2006-2007, lejohet të luajnë vetëm brenda fushave të territorit të Bashkive përkatëse, atëherë, si shpjegohet që Ada e Velipojës luan në Shkodër, apo Tërbuni i Pukës luan në Lezhë?! A nuk janë Velipoja dhe Puka bashki më vete? Dhe, në qoftë se këto dy skuadra janë lejuar të luajnë "jashtë fushave të territorit të Bashkive përkatëse", atëherë, c'të keqe ka që edhe Himara t'i zhvillojë ndeshjet në Delvinë, me Bashkinë e së cilës është nënshkruar një kontratë e rregullt dhe që është debutuar në FSHF me muaj përpara afatit të vënë për këtë qëllim?" Në përfundim, Zijai thekson se ka ende kohë për ta ndrequr këtë padrejtësi dhe për ta rikthyer Vetëtimën në Kategorinë e Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pasi janë luajtur vetëm dy javë të sezonit të ri. "Kohë ka, sepse, në rast të përfshirjes së Vetëtimës në një nga dy grupet e Kategorisë së Dytë, mund të procedohet me zhvillimin e përshpejtuar të ndeshjeve të saj, derisa ajo të arrijë hapin e skuadrave të tjera, - thotë ish-futbollisti i Flamurtarit të famshëm të viteve 1980-të. - Nëse marrim parasysh edhe faktin se Gramozi është përjashtuar nga kjo veprimtari, vetëm para pak ditësh, thuajse asgjë nuk ndryshon në kalendar, pasi vendin e skuadrës së Ersekës e merr Vetëtima dhe gjithcka vazhdon normalisht."