E Diel, 1 Nëntor 2026

Rugova: Shefat e Mustafës janë të zhytur në krim politik e ekonomik

Prishtinë, 24 gusht - Drejtues të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), vlerësuan se koalicioni aktual qeverisës është i paaftë për të integruar vendin në strukturat evropiane dhe se trumbetimet e Qeverisë se do të marrin strategjinë e liberalizimit nga muaji në muaj janë vetëm mashtrime të qytetarëve.
Kritikat e LDD-së janë bërë nga nënkryetari i saj, Naser Rugova, i cili si zgjidhje të gjendjes aktuale dhe mundësitë për të pasur progres në Kosovë e sheh me mbajtjen e zgjedhjeve, raporton TV21.
Sipas Rugovës, me qeverinë aktuale Kosova dhe qytetarët e saj janë larg liberalizimit të vizave me BE-në dhe përfitimeve që mund të sillte ky proces.
“Lidhja Demokratike e Dardanisë konstaton me keqardhje se falë mungesës së vizionit, vullnetit politik dhe paaftësisë partnerëve të koalicionit qeverisës jemi ende larg nga procesi i liberalizimit të vizave. Trumbetimet e qeveritarëve tanë se jemi afër këtij synimi, se presim që në fillim të korrikut fillimin e dialogut zyrtar dhe marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave dhe korriku ka kaluar dhe tani përmendin fundin e verës apo fundin e shtatorit që do ta marrin strategjinë nuk është asgjë më pak se një manipulim i radhës dhe mashtrim i qytetarëve”, ka thënë ai.
Në këtë rast, nënkryetari i LDD-së ka kritikuar krerët e institucioneve të vendit se nuk po tregojnë gatishmëri për të instaluar sundimin e ligjit dhe për zvarritjen e emërimeve nëpër institucionet me rëndësi të veçantë, siç është Dogana e Kosovës.
Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo keq qeverisëse, sipas Naser Rugovës është mbajtja e zgjedhje të reja ku do të vinte një model i ri qeverisës i cili do t’i shërbente vendit dhe qytetarit, por edhe do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik dhe përshpejtimit të proceset integrues.
I dyti i LDD-së nuk ka lënë pa komentuar edhe deklaratat e bëra së fundi nga drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për prishjen ose jo të koalicionit me PDK-në. Rugova vlerëson se kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka mbetur një zë i vetmuar, i cili ka vërejtur se që kjo keq qeverisje po e dëmton vendin.
“Isa Mustafa është i vetëm në LDK. Shefat politikë të Isa Mustafës janë të zhytur deri në vesh në krim të organizuar politik dhe ekonomik dhe në fund janë të shantazhuar. Kjo po shihet haptas, kjo nuk është një gjë e re dhe këtë e din gjithë qytetarët e Kosovës, e din edhe Mustafa, i cili duke e parë që anija e partisë së tij është duke shkuar drejt ujërave të turbullta po tenton që më në fund ta shpejtojë atë, por e ka të kotë, sepse është një zë i vetmuar”, ka thënë Rugova.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›