E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK akuzon MPB-në për dëmtim të buxhetit të vendit

Prishtinë, 24 gusht - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) akuzoi të martën Ministrinë e Punëve të Brendshme se e ka shkelur Ligjin mbi Prokurimin Publik, duke shpallur fituese të tenderit të targave të automjeteve, një kompani e cila ka qenë shumë më e shtrenjtë se konkurrentët e tjerë. RTV21 citon sekretarin e përgjithshëm të AAK-së, Burim Ramadani, të ketë thënë se buxheti i vendit është dëmtuar për 706 mijë euro, si dhe janë shkelur të gjitha procedurat e rregullta të prokurimit publik.
“Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik në mënyrë drastike, duke vendosur që të shpallë fitues kompaninë, e cila ka qenë shumë më e shtrenjtë se kompanitë tjera që kanë aplikuar në këtë tender. Prej dhjetë kompanive që kanë aplikuar për targa të reja të veturave, gjashtë kompani kanë qenë shumë më të lira se kompania fituese. Pra Ministria e Punëve të Brendshme i ka marrë nga xhepat e varfër të qytetarëve të Kosovës 706 mijë euro më shumë, sesa që është dashur”, tha Ramadani, në një konferencë me gazetarë.
Ai kërkoi nga Prokuroria vendore dhe ajo e EULEX-it që të bëjnë hetimin e menjëhershëm të këtij rasti, ndërsa nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi kërkoi që të suspendojë të gjithë zyrtarët, që kanë qenë të përfshirë në këtë procedurë.
Sipas Ramadanit, nëse ministri Rexhepi nuk i bën këto shkarkime, atëherë ai duhet të shkarkohet nga kryeministri Thaçi.
“Kushdo që pretendon t’i mbrojë ata që e kanë shkelur ligjin, kryeministri Thaçi duhet ta shkarkojë atë menjëherë”, tha Ramadani.
Ka kompani që, sipas Ramadanit, janë eliminuar për gjoja mungesën e fijes virtuale të sigurisë dhe shenjave drejtuese të sigurisë, përkundër që ato kanë paraqitur certifikata të lëshuara nga prodhuesit e mëdhenj botëror të fijeve virtuale, ndërsa sa i përket shenjave drejtuese të sigurisë, ato nuk janë kërkuar në mënyrë obligative. “Komisioni vlerësues ka bërë një vlerësim tejet fals, duke thënë se për mungesën e këtyre shenjave eliminohen nga tenderi”, tha Ramadani.
Tenderi për targat e reja të automjeteve ishte shpallur më 28 maj të këtij viti në të përditshmen “Infopress”, fituese ndërkaq është shpallur kompania “Ascom Group&KIG” në Prishtinë, me një çmim prej 1.722.670 eurosh. çmimi më i ulët i kompanive konkurruese ka qenë 1.016.769 euro. Kanë konkurruar gjithsej dhjetë kompani, por të cilat sipas Ramadanit ishin eliminuar nga konkurrimi, në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›