Rugova ofron dorëheqje nga posti i nënkryetarit të LDD-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka ofruar dorëheqje nga funksioni që ai ushtron, në shenjë pakënaqësie me rezultatet e kësaj partie në zgjedhjet e 12 dhjetorit, ku LDD-ja sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka fituar 3.30 për qind të votave dhe nuk siguroi pragun zgjedhor që të jetë pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës.
Rugova ka thënë se ka pritur që pas rezultateve preliminare, kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë do të ftonte Këshillin Kombëtar dhe do të ofronte dorëheqje si akt moral dhe politik.
“Unë si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, i zgjedhur me besimin tuaj, nuk mund të fshihem prapa përgjegjësisë që ne si strukturë udhëheqëse duhet ta ndjejmë për performancën tonë në zgjedhje.
Konsideroj se ne si Kryesi dhe si shtab zgjedhor kemi shumëçka për të sqaruar para jush dhe se duhet të jemi të sinqertë për gabimet tona. E kam fjalën sidomos për gabimet në raport me ju anëtarë të thjeshtë dhe aktivistë të flaktë të degëve të LDD-së që përherë jeni angazhuar pa asnjë interes dhe të nxitur vetëm nga sinqeriteti juaj. Për këtë arsye unë ia ofrojë dorëheqjen time si nënkryetar i LDD-së degëve, Këshillit Kombëtar dhe Konventës Kombëtare të LDD-së”, ka thënë Rugova përmes një letre drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të LDD-së.
Ai ka bërë të ditur se nesër, më 17 dhjetor, pritet të mbahet mbledhja me degë, ku para përfaqësuesve të degëve, do të japë sqarimet për ofrimin e dorëheqjes, ndërsa i mbetet anëtarësisë dhe strukturave të LDD-së të përcaktohen për hapat e mëtutjeshëm.
Drejtues të LDD-së sot gjatë ditës kanë thënë se nuk do t’i pranojnë zgjedhjet e 12 dhjetorit, ndonëse ditë më herët ishte pikërisht Naser Rugova ai i cili pohoi të kundërtën.