Vazhdojnë me turneun

Motoja e koncertit të Prishtinës “The Young Gettopeans” e grupit “Troja” do të vazhdojë rrugëtimin edhe nëpër qytete të tjera, ku anëtarët e këtij rok-grupi do t’i nxehin telat e kitarave të tyre për të protestuar me muzikë, për shkak të mospërfshirjen së Kosovës në liberalizimin e vizave.
Pas këngëve të suksesshme si: “Amaneti i Clown’it”, “Jena Na”, “Mbretnesha kohë”, “Nuk po muj ma”, etj, protestat e Trojës nuk janë kundër ndonjë partie politike, por thjesht janë këngë të cilat nuk kanë ngjyrime politike dhe u drejtohen atyre që pengojnë zhvillimin demokratik të Kosovës.
“Është një problem i madh sepse ka shumë njerëz që mendojnë se këto këngë i drejtohen ndonjë partie politike. Por, këto nuk janë të këtilla sepse dihet mirëfilli se të gjitha partitë në Kosovë kanë njerëz të cilët nuk janë të mirë dhe kanë njerëz të cilët, edhe ne i njohim, dhe janë të mirë”, ka thënë Berisha për Express.
Për mospjesëmarrjen e grupit nëpër fushata elektorale, ndonëse lansimi i këngës së tyre u bë nëpër fushata, Berisha thotë se këngët e tyre vazhdojnë të keqpërdoren pa lejen e tyre, por ata nuk do të ngrehin padi kundër askujt, edhe pse kanë dëshirë që së paku t’i pyesin kur kënga lëshohet
“Gjatë zgjedhjeve lokale kënga është përdorur disa herë pa lejen tonë. Pikërisht kjo gjë tregon se sa seriozë janë këta persona që e kanë lëshuar këngën pa na pyetur ne”, ka thënë ai. Ndërkaq, i pyetur për kolegët e tjera, madje edhe rok-grupe që kanë marrë pjesë nëpër fushata elektorale, Bujari thotë se “është demokraci dhe është punë e tyre, madje edhe e drejtë e tyre që të jenë në krah të ndonjë subjekti politik”.
“Edhe neve na janë ofruar dhe janë munduar të na bindin për të kënduar. Nuk kemi shkuar, edhe pse, ashtu si çdo grup kosovar, kemi nevojë për para. Por, nuk dëshirojmë që më petkun politik t’i veshim edhe këta adhurues të paktë të rokut që i kemi”, thotë ai.
Sipas tij, jo vetëm kjo Qeveri, por edhe në qeveritë e mëparshme ka pasur njerëz të njëjtë, për këtë arsye ata nuk dëshirojnë që ta favorizojnë ndonjë parti apo ndonjë individ.
“Deri tani nuk kemi kursyer për askënd, pra kemi punuar njëjtë dhe në mënyrë të balancuar”, thotë Berisha për Express.
Tash ata kanë nisur një turne, të cilin thonë se do ta mbajnë në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, e që për moto ka liberalizimin e vizave për Kosovën, i vetmi vend në Evropë që ende nuk ha hyrë në këtë proces.
Bujari thotë se liberalizimi i vizave nuk do të thotë shumë për kosovarët, por, sipas tij, Kosovën kjo do ta futë në një proces.
“...Dhe ky proces është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive negative, të cilat këtë shoqëri do ta dërgonin përpara. Pra, janë disa standarde të cilat do të na bënin mirë po t’i plotësonim edhe si shoqëri”.
Në lidhje me mosvazhdimin e këtij turneu pas atij të Prishtinës, Bujari thotë se ata kanë dashur të pushojnë tani në prag të zgjedhjeve, por pas Vitit të Ri do të vazhdojnë të mbajnë koncerte.
“Në janar ma merr mendja që do të jemi në Mitrovicë dhe mandej në qytete të tjera të Kosovës”.
Ndërkaq, për planet e të ardhmes ata presin të bëjnë një album, jo të formatit si ka qenë i pari, por pak më ndryshe. “Do të bëjmë album një ‘single’ dhe një spot dhe në fund do të realizojmë albumin”, thotë Berisha për Express.
Troja
Rok grupi Troja është një grup i zhanrit “heavy – metal” që është themeluar nga Bujar Berisha (vokalist), Florent Bajrami (kitarë), Violand Shabani (tupanë) dhe Agron Ejupi (bas) më 1990 në Prishtinë.