Rugova regjistroi kundërligjshëm 16 kandidatë të doktoraturës

Mujë Rugova vetëm katër ditë para se ta përfundonte mandatin trevjeçar si rektor i Universitetit të Prishtinës ka nxjerrë dy vendime, sipas të cilave të drejtën e regjistrimit të doktoratës në Fakultetin Juridik e kanë fituar 16 kandidatë, nëntë prej tyre me vendimin 2/617, të datës 26 shtator dhe shtatë me vendimin 2/66 të datës 28 shtator 2012. Zyrtarët e UP-së e pranojnë se vendimet e Rugovës janë të kundërligjshme, porse nuk mund të riparohen, shkruan Koha ditore.
Për tre nga shtatë kandidatët e pranuar me vendimin e ish-rektorit Rugova, të datës 28 shtator 2012, nuk është shënuar se në cilat programe e kanë fituar të drejtën e regjistrimit. Në vendimin që e ka siguruara gazeta, për tre kandidatët në vend të programit në të cilin ata janë regjistruar shkruan “pa program”. Për katër të tjerët, ndërkaq, janë shënuar emrat e programeve në të cilat janë regjistruar kandidatët. /Indeksonline/