E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri konkurse për libra e revista me 80 mijë euro buxhet

Tetëdhjetë mijë euro është shuma me të cilën institucioni më i lartë i kulturës në vend do ta mbështesë librin për vitin 2013. Ministria e Kulturës sivjet ka ndarë 20 mijë euro më shumë sesa vitin e kaluar për këtë sektor. Por, këtë vit, sipas Rregullores së re për punën e Këshillit të librit, MKRS-ja e ka shtuar konkursin për blerjen e librave. Ftesën për blerjen e librave për vitin 2013 dhe atë për përkrahjen e botimit të revistave letrare, ky institucion e ka bërë publike të mërkurën. Botuesit e librave e të revistave kanë kohë deri më 23 shkurt të konkurrojnë për mbështetje institucionale.

Sipas konkursit që ka hapur Ministria e Kulturës, librat që do të blihen nga MKRS-ja, ndër kriteret që duhet të përmbushin që do të blihen janë: veprat me vlerë kulturore artistike kombëtare, përkthime që paraqesin arritje të përgjithshme artistike, dhe të jenë vepra të botuara në dy vitet e fundit nga botues të regjistruar në Republikën e Kosovës. Ndërsa në konkursin për përkrahjen e botimit të revistave letrare thuhet se MKRS-ja do të përkrahë revistat që kultivojnë vlera letrare, artistike e kulturore dhe revista me përmbajtje të profilizuar të rëndësisë së veçantë. Profilizimi programor, aktualiteti, baraspesha konceptuare, janë disa nga kriteret.

“Sivjet MKRS-ja pritet të ndajë një buxhet prej 80 mijë eurosh për librin. E dini që në vitin 2011 kemi gjetur buxhet prej 30 mijë eurosh për librin, në vitin 2012 e kemi rritur në 60 mijë”, ka thënë Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi. Dragaj ka shpjeguar se në bazë të Rregullores së re për punën e Këshillit të librit, të cilën ministri Krasniqi e kishte aprovuar në tetor të vitit të kaluar, do të hapen tri konkurse.

“Me Rregullore të re do të ketë tri konkurse për blerje të librave, mbështetje për botimin e revistave letrare dhe mbështetje për botimin e librave”, ka thënë Dragaj, i cili nuk ka specifikuar se kur do të hapet konkursi për këtë të fundit.

Ani pse ka planifikuar që 80 mijë euro t’ia dedikojë librit, Ministria e Kulturës nuk e ka ende të qartë se si do të shpërndahet kjo shumë.

“Sa u përket shpenzimeve që do të bëhen për secilin konkurs, nuk mund të precizohet sepse do të varet nga numri i aplikimeve dhe i vlerësimeve që do t’i bëjë Këshilli i librit, pasi të ketë pranuar dosjet”, ka thënë Dragaj.

Botuesit e krijuesit letrarë e kanë mirëpritur konkursin për blerje të librave, që MKRS e ka shpallur sefte sivjet. Disa prej tyre thonë që MKRS-ja duhet të mos e lërë anash përkrahjen e botimit të librave të rinj, derisa të tjerët kanë porositur këtë institucion që të favorizojë konkursin për blerjen e librave, shkruan "Koha Ditore". 

“Prej përvojës që kemi pasur deri më tani, është më mirë që Ministria të përqendrohet dhe të favorizojë blerjen e librave, por me një staf që vlerëson mirë se çka duhet të blihet”, ka thënë Besian Zeneli, udhëheqës i shtëpisë botuese “Buzuku”, njëherësh nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Sipas tij, fakti që MKRS-ja sivjet ka ndarë 80 mijë euro për librin nuk nënkupton rritje të buxhetit për librin, duke pasur parasysh se ka shtuar konkursin e ri.

“Në njëfarë mënyre i bie që është e njëjta shumë, meqë është shtuar konkursi për blerje librash. Kjo është iniciativë e mirë, por mbetet të shihet nëse do të blejë libra që vlejnë apo të favorizojë njerëz të caktuar si herëve të kaluara”, ka thënë Zeneli.

Adil Olluri, njëri nga themeluesit e Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, ka thënë se konkursi për blerjen e librit nga shtëpitë botuese është i mirëseardhur, sepse përveç tyre i ndihmon edhe bibliotekat kosovare.

“Por Ministria duhet të vazhdojë dhe ta ruajë traditën e përkrahjes së botimit të librave të rinj, ngase autorët kosovarë ende kanë nevojë për një mbështetje sado të vogël institucionale, sepse nëse tash e tutje do të vazhdohet vetëm me konkurset për blerjen e librave, shumë autorë, sidomos ata të gjeneratës së re, do të mund të mbesin me gishta në gojë”, ka thënë ai./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›