Në Elbasan ka dy Parti Socialiste, një e Qazimit dhe një e Shegushes

Tashmë është e qartë se në Elbasan janë copëzuar dysh dhe janë krijuar për pasojë dy Parti Socialiste. Të dyja kanë në plan llokmën e madhe që quhet bashki e qytetit. Njëra palë në koalicion me ç’të mundet për ta mbajtur të drejtën e kandidimit dhe pala tjetër, e rropatur të krijojë një profil politik të qëndrueshëm, në një mjedis që nuk e beson fare. Afërmendsh kuptohet se në Qarkun e Elbasanit janë në linja kryesore dy copëza PS-je, copa serioze e Qazim Sejdinit dhe copa tjetër në formim e sipër me të shpejtë e Shegushe Ligorit, mëkëmbësin e së cilës e ushtron gjatë mungesës, i vëllai i saj. Në grupin e deputetëve të PS-së për këtë qark, Shegushja ka edhe ndikimin më të madh, duke anashkaluar deputetët e tjerë që janë pothuajse periferikë në jetën e qytetit dhe ishin thjesht pjesë e listave për t’u bërë deputetë. Nuk shihet më ndikimi i dikurshëm i Valentina Leskajt, ndërsa nuk pritet që të ketë këllqe dhe barrë për të mbajtur as Damiani, as Agimi dhe as ndonjë tjetër, të cilit nuk i dihet as emri. Mëkëmbësia e drejtimit të PS-së Elbasan nga njëra kokë, e ka nisjen e fuqisë dhe burimit tek kryetari socialist Edvin Rama. Tashmë Shegushe Ligori e dha provën e zjarrin teksa qëndroi për gati 3 javë në mes të rrugës tek çadrat e kampingut përballë Kryeministrisë dhe selisë së zyrave të Kuvendit, duke demonstruar besnikëri politike ndaj kryetarit Rama. është interesante për mjaft qytetarë elbasanas, të cilët më 28 qershor 2009, ditën e zgjedhjeve u joshën kundrejt parave për të votuar PS-në, të shohin Shegushe Ligorin të bëjë “grevë” për votën e lirë. Qytetarët elbasanas, sigurisht, nuk u impresionuan nga mjekrat e deputetëve socialistë, apo nga modelet e tutave sportive të tyre, por ndoshta do ishte interesante sikur fenomeni i daljes së qimes në mjekër, të ishte shfaqur qoftë edhe i shëmtuar edhe tek gjinia femërore, që për tre javë pa bukë, doli më e shëndetshme se kurrë.
Në ditët e ardhshme, pritet që kryetari Rama të mohojë zërat që ia ka premtuar Shegushes për të vëllanë, kandidatin për kryetar bashkie, duke lënë deri në fund me ankth kryebashkiakun aktual Qazim Sejdini. Në filozofinë e Ramës, asnjëherë nuk është e garantuar mbajtja e fjalës. Por, në fund të fundit, tanimë e ka radhën dikush tjetër të thotë fjalët që thoshte Nano atëherë për Shegushen.