E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpëlitjet e Edvinit para pensionit politik

Edhe pasi ka dalë nga zyra e presidentit të republikës, Edvini s’ka mundur të angazhohet për zbatimin e kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, por ka vijuar përpëlitjet mediatike, që synojnë izolimin e oponentëve brenda partisë, por edhe zgjatjen, me sa mundësi të ketë, të pensionit politik që po i afron me ardhjen në Tiranë të ekspertëve të Bashkimit Evropian

Asnjë përparim nuk po regjistrohet në përpjekjet për kthimin në ligj dhe në institucione të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës. Vetë deputetët kanë qenë dje në Komisionin e Ligjeve, por kanë refuzuar të nënshkruajnë një projektrezolutë, që i kërkon prokurorisë të jetë më aktive në luftën kundër korrupsionit dhe më bashkëpunuese për këtë qëllim me institucionet e tjera të pavarura. Kurse Edi Rama s’ka dhënë asnjë shenjë se ka hequr dorë nga pretendimi absurd për të mos zbatuar Kodin Zgjedhor, i cili parashikon djegien e fletëvotimeve, në rast se hapen kutitë e materialeve zgjedhore. S’është e qartë nëse këtë tërheqje e ka bërë në koenfidencë në zyrën e Presidentit të Republikës, tek i cili ka qenë dje për të diskutuar, siç u tha në njoftimin për shtyp të zyrës së shtypit të presidencës për “situatën politike në vend”, por në konferencën për shtyp që ka dhënë më pas, i ka mbetur qëndrimit se kompromisi duhet arritur vetëm sipas midesë së tij dhe jo sipas kuadrit ligjor e atij kushtetues.
“Zgjidhja e kompromisit është në tavolinë si shprehje e vullnetit tonë të mirë dhe e vetëdijes sonë politike e qytetare për nevojën e madhe që ka Shqipëria sot për t’u çliruar nga pesha e krizës së mungesës së transparencës. Ne jemi gati për zgjidhjen, pala tjetër s’ka pse fshihet pas alibive që tanimë janë rrëzuar dhe as duhet ta vonojë pranimin e zgjidhjes duke u faturuar shqiptarëve pasoja krejt të pamerituara e duke shtuar peshën e krizës në kurriz të interesave të vendit dhe me pasoja të pallogaritshme në rrugën e integrimit evropian”, ka shtuar dozën kërcënuese, kryetari i PS-së, duke konfirmuar se s’e ka aspak problem ta zgjasë ngërçin, mjaft që të mbetet palë në tryezë dhe të kërkojë kostot për çfarëdolloj koncesioni që mund të jepet.
Edi Rama është i hutuar e s’po gjen dot karar që ta mbyllë degdisjen e tij të rrugëve dhe pas takimit kokë më kokë me presidentin e republikës, u mor vesh se s’e kishte ende përgjigjen e duhur.
Sot vijnë ekspertët e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës lidhur me testimin e situatës për arritjen e një marrëveshjeje-kuadër, sa më shpejt, ndoshta edhe pa mbërritur tek dyjavëshi i famshëm, që iu dha si ultimatum Edi Ramës në darkën e Krokodilit, por Edvinit s’po ia mban ta shqiptojë frazën magjike se “hapja e kutive duhet bërë sipas kushtetutës dhe kuadrit ligjor”.
Dje s’e ka shqiptuar dot pasi ka dalë nga zyra e presidentit Topi, çka tregon se ai ka qenë një rast që duhej kaluar. Mbetet për t’u parë nëse do ta shqiptojë në ditët në vijim para ekspertëve ndërkombëtarë, megjithatë vëzhguesit e jetës politike brenda PS-së, thonë se do të presë edhe disa ditë, sa të kryejë spastrimin final të oponentëve brenda partisë, por edhe që të shohë nëse është e mundur që lidershipi i tij të rikonfirmohet nga ndonjë takim i pritshëm me kryeministrin Sali Berisha.
Sido që të vijnë punët, dritat e vëmendjes politike do të drejtohen vetëm për pak ditë nga kapriçiot e Edvinit, pasi tashmë vendimi për vizat është marrë, po ashtu edhe opinioni pozitiv për pyetësorin e BE-së është parathënë.
Me afrimin e botërorit të futbollit, edhe ekspertët e marrëdhënieve me publikun sugjerojnë se duhet lënë protagonizmi... Pas sugjerimit, Edvinit s’i mbetet veç kapërdima e dështimit, ja në Pezë, ja në ndonjë pensionat tjetër të politikës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›