“Vangjel Kosta ishte kandidaturë politike, e lidhur me komunizmin”
PD shpjegon arsyet pse rrëzoi një nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese
Partia Demokratike ka reaguar dje zyrtarisht lidhur me deklarimet e kryetarit të PS-së, Edi Rama, rreth rrëzimit të kandidaturës së Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Partia Demokratike, e cilëson më se normal votimin politik për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si çdo vendim që merret në parlamentet demokratike të gjithë botës. Në deklaratën e kryetarit të grupit Astrit Patozi, thuhet ndër të tjera se kandidatura e Kostës është konsideruar si politike, e lidhur me diktaturën komuniste, dhe prandaj edhe është rrëzuar nga Grupit Parlamentar i PD-së.
“Jam këtu sot që t’i përgjigjem shqetësimit të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, lidhur me votimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Së pari, nuk besoj se është ndonjë gjë e re për publikun po të them se votimi në këtë rast ka qenë politik, siç janë të tilla vendimet që merren në të gjitha parlamentet demokratike të botës”, u shpreh Patozi.
Nga ana tjetër, Astrit Patozi, konfirmoi qëndrimin sipas të cilit, demokratët janë kundër edhe kandidatëve që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e 20 viteve të fundit, duke synuar pavarësinë e sistemit gjyqësor.
“Së dyti, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike. Dhe me këtë ajo ka parasysh të gjithë personat, që në karrierën e tyre gjatë diktaturës kanë marrë pjesë në procese politike, si dhe ata të tjerët, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e 20 vjetëve të fundit. Rasti i zotit Kosta bën pjesë qartësisht në grupin e parë të kandidaturave politike dhe për këtë shkak u rrëzua. Ne kemi votuar fshehur, se kështu e parashikon kushtetuta, por e deklarojmë hapur arsyen politike të votës kundër. Më duhet të theksoj se ky standard, është sa transparent, aq edhe i patjetërsueshëm për mazhorancën”.
Për sa i përket qëndrimit të kryetarit ët PS-së Edi Rama, kreu i deputetëve të PD-së Astrit patozi, e cilësoi atë si qëndrim të një personi që për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën demonstron edhe një mentalitet të papajtueshëm me shtetin demokratik.
“Ndërsa meraku i shprehur botërisht nga Edi Rama mund të vijë për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën apo nga një mentalitet i papajtueshëm me shtetin demokratik të së drejtës. Cilido që të ketë qenë motivi, ne urojmë që ai të çlirohet sa më shpejt prej këtyre ndikimeve, pasi mbajtja larg drejtësisë e personave me integritet të cenuar gjatë karrierës së tyre dhe të pozicionuar fort politikisht, është kontributi më i mirë për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit”, përfundoi qëndrimin në emër të PD-së, Astrti Patozi.