Identifikohet 32-vjeçari që u gjet i ekzekutuar
UPDATE- I marrë peng dhe më pas i ekzekutuar me armë, tip automatik. Ky është versioni që jep policia lokale për 32-vjeçarin e gjetur sot të vrarë në Levan të Fierit, ndërsa nuk bën ende të ditura motivet e krimit.
Sipas hetimeve paraprake dhe ekspertizës së kryer në vendin e ngjarjes, mësohet se trupi i pajetë i përket shtetasit Leonard Hazizaj, banor i qytetit të Fierit.
Në trupin e tij janë gjetur shenja plumbash, gjë që vërteton se vdekja e tij ka ardhur nga armë zjarri.
Gjithë referuar hetimeve paraprake, viktima ka jetuar më parë në Greqi, por së fundi ka qenë në atdhe. Ai u gjet mëngjesin e sotëm nga banorë të zonës në një tunel të ish-repartit të tankeve në Levan të Fierit.
Që në fillim u dyshua se viktima ishte marrë peng e më pas është ekzekutuar me automatik.
Nuk dihet asgjë rreth motiveve të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që policia po heton në disa pista.