LSI: Opozita të vijë në Kuvend
Nënkryetari i LSI-së tha se opozita duhet të futet në Kuvend për të marrë përgjegjësitë që i takon
TIRANË - Spektri politik mazhoritar vazhdon t'i kërkojë opozitës që të bëhet pjesë e Parlamentit vitin e ardhshëm. Nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje
se opozita duhet të zërë vendet në Parlament për të marrë përgjegjësitë që i janë ngarkuar nga zgjedhësit më 28 Qershor. Duke iu referuar qëndrimeve të opozitës për hapjen e kutive të votimit, Haxhinasto theksoi se opozita duhet të japë kontributin e saj për proceset integruese të vendit në Parlament me iniciativa ligjore dhe jo duke qëndruar jashtë Kuvendit. Ndërkohë që nuk la pa përmendur edhe zërat opozitarë që janë shprehur për një hyrje të mundshme në Kuvend. "Me ketë rast përshëndes zërat racionale që vijnë nga opozita, akoma në rrugë, për t'u kthyer në Parlament dhe për të kontribuar në këtë proces dhe ushtruar përgjegjësitë, për të cilat i votoi elektorati në 28 Qershor. Përgjegjësitë kombëtare ndaj integrimit nuk ushtrohen nga qoshet e konferencave të shtypit që përpiqen të nxijnë çdo realitet, por me kontribute konkrete legjislative dhe me mbështetje e vullnet të qartë politik. Çdokush duhet të kuptojë se procesi i integrimit është i pakthyeshëm dhe viti 2010 do të sjellë më shumë Evropë në Shqipëri", - tha dje Haxhinasto. Ai shtoi se, përveç krizës politike, viti 2009 ishte një vit i rëndësishëm, pasi Shqipëria mori aprovimin për shqyrtimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat për në BE. "Viti 2009 shënoi edhe një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë: paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat dhe marrjen e pyetësorit, dhe veçanërisht progresin në liberalizimin e plotë të vizave që do të konkretizohet në gjysmën e parë të 2010-ës! Përgatitja e pyetësorit është një ndërmarrje madhore e shtetit dhe administratës shqiptare, një përgjegjësi mbarëkombëtare dhe mbi-partiake" , - u shpreh më tej Haxhinasto.