Ruleti rus në Arktik

Instrumentet që qëndrojnë varrë në qytetin rus Severodvinsk duken si orë gjigante. Por në vend se të tregojnë kohën, ato e masin nivelin e radioaktivitetit. Bëhet fjalë për dozimetra dhe qëllimi i tyre është që të sigurohen banorët në këtë port në veriperëndim të Rusisë, në këtë qytet që shërben si bazë e nëndetëseve bërthamore ruse. Më pak qetësues është fakti se para një viti e gjysmë një nëndetëse bërthamore u kaplua nga zjarri në këtë port.
Për dekada të tëra, kjo flotë ka qenë si bekim, ashtu edhe mallkim në këtë rajon, të cilit i mungon infrastruktura tjetër. Anijet kanë hapur vende të punës, por gjithashtu kanë sjellë me vete edhe frikën nga një Chernobil i mundshëm në det. Tani rajoni ka një arsye tjetër për të shpresuar, e gjithashtu edhe një burim tjetër të rrezikut: naftën.
Porti në Severodvinsk, në Detin e Bardhë, ku dikur janë ndërtuar nëndetëset, tani është shndërruar në qendër për ndërtimin e platformave të naftës. Një sapo është ndërtuar për t’u shfrytëzuar në fushën e naftës Prirazlomonoje, në Detin Pechora, gjithashtu në brigjet veriperëndimore të Rusisë. Konstruksioni i madh i metalit, i cili mbikëqyret nga një degë e gjigantit energjetik rus, Gazprom, pritet që të fillojë punën dikur gjatë muajve në vijim.
Edhe pse planet janë hartuar pa ndonjë zhurme të madhe, një rezistencë e papritur është shfaqur përreth vendit ku pritet të fillojë shpimi. Dega e organizatës Greenpeace në Rusi ka publikuar një studim alarmues.
“Nëse do të ndodhte ndonjë aksident në platformën në Detin Pechora, atëherë do të ndotej një ambient me madhësi dy herë më të madhe se Irlanda”, theksoi Roman Dolgov, drejtor i programit të Greepeacit rus në Arktik.
Rreziqet për ndotjen e ambientit po shtohen edhe më tutje në veri, pasi që shtetet të cilat kufizohen me Arktikun po zhvillojnë garë për të shfrytëzuar burimet, në të cilat më herët nuk kanë pasur qasje. Akulli në det është duke u zhdukur dhe mund të bien nën nivelin rekord, i cili është regjistruar në vitin 2007.
“Jemi dëshmitarë të një situate unike historike. Me hapjen e territoreve të reja në Oqean, po hapin edhe rrugë dhe mundësi të reja”, thotë Rudiger Gerdes, shkencëtar që studion akullin në Institutin Alfred Wegener për studime Polare dhe detare, me seli në Bermerhaven, Gjermani.
Sipas Agjencisë për Vëzhgim Gjeologjik të SHBA-së, rreth 22 për qind e rezervave ende të pazbuluara të naftës në botë do të zbulohen në Arktik. Është ky kufiri i fundit për ndëermarrjet shumëkombëshe të naftës dhe tani ka filluar të shembet edhe ky kufi, me shkrirjen e akullit dhe me ngritjen e çmimeve të energjisë.
Sa i përket Rusisë, mbrojtja e ambientit kurrë nuk ka qenë ndonjë prioritet i lartë për strategët e Kremlinit, të cilët sektorin e energjisë e shohin si një instrument të cilin mund ta shfrytëzojnë, për të çimentuar pozitën e Rusisë si fuqi botërore. Kryeministri i Rusisë, Dimitri Medvedev, në fillim të ligjin publikoi pakon e ligjeve, me të cilat ofrohen lehtësime tatimore për kompanitë, të cilat angazhohen në nxjerrjen e naftës.
Presidenti Vladimir Putin ka premtuar se vendi i tij do ti përmbahet rregullave të ashpra për mbrojtjen e ambientit, por se sa pak domethënie kanë këto premtime mund të shihet në rastin e projektit në fushën e naftës Prirazlomnoje. Nëse do të ndodhte ndonjë aksident në këtë platformë, atëherë ekuipazhi do të ishte në mëshirën e fatit, pasi që ekipi më i afërt për shpëtim është i stacionuar rreth 1 mijë kilometra më larg, në qytetin-port Murmansk, në Detin Barents.
Mungesa e përvojës që kanë kompanitë ruse sa i përket kryesimit të projekteve në det ka rezultuar në vazhdimësi me aksidente. Që nga periudha e Bashkimit Sovjetik, kompanitë ruse të gazit dhe të naftës kanë pasur një reputacion mjaft të keq. Këtë më së miri e di aktivisti i Greenpeace, Dolgovi.
Në afërsi të fushës së naftës gjendet fshati Ust-Usa, i cili ka rreth 1300 banorë. Dikur fshatarët ishin në gjendje të pinin ujin nga lumi, por tani, nëse e bëjnë këtë, kjo mund të jetë fatale për ta. Një mjek në fshat ka mbajtur shënime dhe ka studiuar shëndetin e fshatarëve në Ust Usa. Shkalla e sëmundjeve të kancerit tani është për 50 për qind më e lartë se në vitin 2000, ndërsa fëmijët dhe adoleshentët lëngojnë nga sëmundjet e organeve të frymëmarrjes. Për dallim nga pjesët tjera të Rusisë, ku mosha mesatare e jetës arrin në 70 vjet, në këtë rajon ajo është 58 vjet.
Banorët kanë shprehur hidhërimin e tyre ndaj kompanive të naftës dhe Kremlinit. Jekaterina Diakova, arsimtare e biologjisë në fshat, po angazhohet për themelimin e një Instituti të pavarur, i cili do të vëzhgonte tubacionet e naftës, kualitetin e ujit dhe ndotësit.
“Qeveria nuk duhet t’ia bartë këtë përgjegjësi kompanive të naftës. Ato gjejnë vetëm atë që dëshirojnë ta gjejnë”, thotë ajo.
Diakova ja sugjeroi para dy viteve krijimin e këtij Institucioni presidentit të Rusisë dhe ajo ende është duke e pritur një përgjigje.
“Çdo kund tjetër, nafta është ari i zi. Për ne këtu, është një murtajë e zezë”, nënvizoi Diakova.