Ruli: 2011-a rriti ndjeshëm eksportet bujqësore
Ministria e Bujqësisë i është rikthyer vitit që lamë pas, përmes analizës së punës njëvjeçare, e cila u paraqit para mediave nga ministri Ruli.
Sipas kreut të këtij institucioni, gjatë vitit 2011 është shënuar një rritje e kënaqshme e eksporteve bujqësore. Dinamikën e sektorit të bujqësisë e ilustron ecuria e eksporteve bujqësore. Eksportet paraqesin zgjerim dhe në total kemi rritje 33%, ku veç perimeve, bimëve mjekësore, kemi tashmë fruta dhe sidomos eksportin e patates. Eksportet e prodhimeve blegtorale paraqesin rritje të mirë për këtë vit, 38%, dhe ajo që spikat është rritja e eksportit të mishit, tha Ruli.
Duke qëndruar te eksportet bujqësore, Ruli theksoi se rritje kanë shënuar edhe kategoritë si: prodhimet agroindustriale, peshku i konservuar, perimet e konservuara dhe prodhimet e mishit.
Gjithashtu, rritje ka shënuar edhe sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës. Përsa u përket importeve, Ruli theksoi se ato kanë shënuar nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit.