E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Strategjia jonë drejt konkurrueshmërisë e cilësisë së produkteve



Rritja e konkurrueshmërisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore në vend është një ndër pikat kyçe të strategjisë së Ministrisë së Bujqësisë, për t’iu përafruar standardeve të BE-së për këtë sektor. Kjo deklaratë është bërë dje nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, i cili ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Italian për Tregtinë së Jashtme (ICE), ku janë ndarë Certifikatat e Cilësisë së 19 firmave të përzgjedhura shqiptare në Sektorin e Peshkimit dhe në atë Agroushqimor. “Të gjitha përpjekjet tona në rrafshin e politikave politike e ekonomike, janë përqendruar në eficencën, inovacionin, rritjen e konkurueshmërisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore. Të gjitha këto janë trajtuar në strategjitë sektoriale e ndërsektoriale që janë hartuar tashmë, apo që janë në implementim e sipër. Një vend shumë të rëndësishëm në strategjinë për sektorin e bujqësisë dhe ushqimit zënë politikat e cilësisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë, e ndër to, ato të hartimit të standardeve për produktet bujqësore ose të përpunuara në përputhje me normat e BE-së”. Sipas ministrit, përpjekjet janë përqendruar në rritjen e efektivitetit të zbatimit të këtyre normave, në mënyrë të veçantë vendosjes së emërtimeve sipas origjinës gjeografike të produkteve, si dhe nxitjes së sigurisë ushqimore të lartë të produkteve bujqësore ose të përpunuara, që në tërësinë e tyre konsiderohen të domosdoshme dhe të detyrueshme. “Në mënyrë të vazhdueshme, ne kemi orientuar mbi mënyrat e përmbushjes së këtyre detyrimeve, si vendosja e kërkesave të sistemeve të autokontrollit HACCP dhe adoptimi i standardeve të ISO, përmirësimi i kontrollit të kushteve higjieno-sanitare të agrobizneseve etj. Kandidimi për t’u pranuar në BE ka trokitur dhe porta e kësaj paradhome pritet të hapet. Po hartojmë Planin Kombëtar të Zhvillimit Rural dhe kemi avantazhin që të përafrojmë nga pikëpamja legjislative dhe ajo praktike, ato zhvillime në drejtim të sigurisë ushqimore që përbëjnë edhe zhvillime të kohëve të fundit për vetë BE-në”, - tha ministri Ruli. Në fund të vitit 2007 dhe gjatë vitit 2008 stabilimentet shqiptare të prodhimeve të detit adaptuan planet e tyre, për zbatimin e sistemit HACCP dhe gjurmueshmërisë së produktit dhe disa prej tyre edhe me sistemin ISO, të përgatitura nga shoqëri konsulence italo-shqiptare. Gjatë vitit 2008, MBUMK në bashkëpunim me partnerë si Projekti për Ngritjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Eurofish, GTZ, TAIEX etj., ka organizuar work-shop-e teorike dhe praktike, në mënyrë që këto sisteme të kuptoheshin më mirë, si nga inspektoret zyrtarë ashtu edhe nga operatorët e biznesit. “Ndarja e këtyre certifikatave, - tha ministri Ruli, - është zhvilluar në një moment shumë të përshtatshëm për industrinë agroushqimore në përgjithësi dhe për atë të prodhimeve të detit në veçanti”. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mbështet fuqimisht ndërmarrjen e këtyre lloj iniciativash që kontribuojnë në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së produkteve shqiptare, por edhe në rritjen e kompetitivitetit të firmave shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›