E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktima e parë në Shqipëri nga gripi i derrit, humb jetën 57-vjeçari nga Sukthi



Ajo çka ishte e pritshme, sipas mjekëve, ndodhi edhe në vendin tonë. Një 57-vjeçar nga Sukthi humbi jetën dje pas një lufte disaditore me virusin e gripit të derrit, A/H1N1. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar zyrtarisht lajmin. Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, përmes një deklarate për shtyp, ka njoftuar se viktima e parë nga ky virus është një 57-vjeçar nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga tumori beninj në prostatë.

Pacienti

Sipas Piperos, pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive i spitalit të Durrësit dhe i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare “Shefqet Ndroqi”, vuante prej shumë kohësh nga tumori beninj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe infarkt miokardi të një forme të rënduar. “Ndërsa, - vijon më tej Pipero, - edhe u konstatua diagnoza e infeksionit me A/H1N1, e cila u konfirmua brenda ditës pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Ndërkohë që dje ai ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare nga infeksioni me virusin A/H1N1”.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë thotë se për sa i përket situatës epidemiologjike të vendeve fqinje dhe vendeve të Evropës, aktualisht është konfirmuar një numër i caktuar vdekjesh. Drejtori i Politikave Shëndetësore në ministri deklaroi se vendi ynë përfshihet në listën pozitive të vendeve me vdekje nga A/H1N1, por ai tërheq vëmendjen e rrezikshmërisë së infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1, veçanërisht me rrezikshmëri të lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore.

“Këshillojmë të gjitha grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga OBSH-ja dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi, siç jeni në dijeni, rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë, por edhe të evitojnë në maksimum mjediset e mbifrekuentuara”, - deklaroi drejtori i Politikave në MSH, Pëllumb Pipero.

Situata

Çdo ditë në spitalet e vendit raportohen 60 raste me virusin pandemik dhe 50 me gripin stinor. Ditët e fundit mjekët kanë vënë re rritje të rasteve me të dyja rastet. Deri tani, në vendin tonë janë konfirmuar 190 raste me gripin e derrave, ndërsa me gripin sezonal raportohen deri në 16 raste në javë. Nga ana tjetër ata theksojnë se me uljen e temperaturave stinore, pritet që rastet me viruse stinore dhe ato me A/H1N1 të pësojnë një rritje të ndjeshme.

Shenjat

Temperatura e lartë, kolla e fortë, dhimbje fyti, dhimbje muskulare, dhimbje koke dhe diarre janë disa prej shenjave të virusit stinor dhe atij A/H1N1

Mjekët: Mjaftojnë dy a me tepër se këto shenja që qytetarët të kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes dhe të mos neglizhojnë situatën

Gripi pandemik

Hapet repart reanimacioni tek Infektivi

Në Spitalin Infektiv në QSUT është përuruar dje reparti i reanimacionit. Sipas drejtuesve të Infektivit, reparti do të kurojë rastet e rënda, duke përfshirë këtu edhe pacientët me virusin më të fundit pandemik, A/H1N1. Në ceremoninë e përurimit të mjediseve të reja të repartit të reanimacionit të Infektivit ka marrë pjesë zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore, të cilët janë pjesë e investimit të projektit. Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bën të ditur se janë përuruar mjediset e rikonstruktuara të reanimacionit në shërbimin Infektiv. Rikonstruksioni i këtyre mjediseve është financuar nga Projekti i Kontrollit të Gripit të Shpendëve dhe Përgatitjes për Parandalimin e Pandemisë Humane, me vlerën totale 600 mijë USD. Rikonstruksioni i këtyre mjediseve është realizuar nëpërmjet një kredie të Bankës Botërore për qeverinë shqiptare. Në reanimacionin e shërbimit Infektiv tanimë të gjitha mjediset janë të reja dhe vlera e rikonstruksionit, përveç ambienteve, ka përshirë është vendosjen e aparaturave të reja si dhe trajnimin e stafit mjekësor. Më konkretisht, në reanimacionin e shërbimit Infektiv çdo boks individual është pajisur me shtrat reanimacioni, respirator, monitor, aparat inhalacioni, aspirator portativ, shiringë elektrike dhe perfuzor. Gjithashtu, për të gjithë reanimacionin janë instaluar pajisjet e Hemogazanalizatorit, aparat Rontgeni i lëvizshëm, Fibrobronkoskop, defibrilator, laringoskop, panel reanimacioni për çdo shtrat me dalje gazesh dhe vakuumi me standarde evropiane, priza dhe kundërpriza sipas daljeve që kanë panelet, autoklavë për përmbajtjet dhe monitorë centralë. Garancia e këtyre aparaturave është disavjeçare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›