E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli u bën thirrje investitorëve gjermanë për investime në energjetikë

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) Genc Ruli u ka bërë thirrje investitorëve gjermanë të vazhdojnë të investojnë në sektorin e energjisë, si një ndër sektorët më atraktivë të vendit. Në takimin e organizuar dje në Tiranë, nga METE me drejtues të bankës gjerman KFË, e cila ka financuar projekte të rëndësishme në fushën e energjetikës, si linja Elbasan-Podgoricë, Shqipëri-Mali i Zi, etj, u diskutua për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë. Duke falenderuar Qeverinë Gjermane dhe KFË për mbështetjen që i kanë dhënë vendit tonë për zhvillimin e sektorit energjetik, Ruli theksoi se zhvillimi i burimeve energjetike në vendin tonë përbëjnë një nga prioritetet e Qeverisë dhe një domosdoshmëri për zhvillimin e ekonomisë sonë kombëtare. Shqipëria, me pozicionin e saj gjeografik shumë të mirë dhe me burime të bollshme ujore, me shumë ditë me diell, erë, biomasë, etj, krijon mundësi për shfrytëzimin e energjisë të prodhuar nga këto burime, të cilat do të kenë impaktin e tyre në zvogëlimin e emetimeve të ndotësve në atmosferë, duke marrë në konsideratë faktin që vendi ynë ka firmosur dhe marrëveshjen e Kyoto-s, cilësoi Ruli, sipas të cilit vendi ynë, ka një potencial të madh hidroenergjie, nga i cili vetëm rreth 35% e tij është shfrytëzuar deri tani. Ndaj sipas Rulit lind detyra e identifikimit të potencialeve të mundshme dhe përmirësimi gjithmonë dhe më tepër i kuadrit të nevojshëm ligjor, rregullator dhe institucional për zhvillimin e tyre. Tematika e zgjedhur për tu prezantuar në këtë seminar synonte pikërisht trajtimin e këtyre problemeve, për të cilat Qeveria Shqiptare ka shfaqur interes për të shtuar prodhimin e energjisë elektrike edhe nga burimet e rinovueshme. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli ka vlerësuar se komentet objektive që do të merren nga kjo konferencë do të jenë objekt i diskutimeve për përmirësimet ligjore dhe rregullatore të mundshme. Në këtë kontekst Ruli ka bërë të ditur gjatë këtij takimi se po punohet për hartimin e një ligji të ri për burimet e rinovueshme, i cili mendohet të paraqitet së shpejti. Sipas tij do të hartohet një ligj i ri për sektorin e energjisë elektrike, që parashikohet të përfundojë brenda vitit 2009. Ndërsa ambasadori gjerman në Shqipëri, Bern Bohard nxori në pah bashkëpunimin shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Shteti gjerman ka dhënë gjatë 20 viteve të fundit, për vendin tonë, 800 milionë euro financime nga të cilat 160 për sektorin e energjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›