E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore akordon 5 milionë dollarë për shërbimet sociale, përfitojnë dhe pensionistët

Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore aprovoi dje një kredi prej 5 milionë dollarësh si financim shtesë për Projektin e shpërndarjes së shërbimeve sociale për Shqipërinë. Drejtuesja e Projektit të Shpërndarjes së Shërbimeve Sociale, Lorena Kostallari bëri të ditur se ky financim shtesë do të plotësojë kredinë fillestare prej 10 milionë dollarësh dhe do të përdoret për zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese të projektit mbi reformën administrative të sistemit të pensioneve në Shqipëri. Ky financim synon rritjen e efiçencës dhe efektivitetit të sistemit të pensioneve në Shqipëri përmes përmirësimit të administratës së këtij sistemi, forcimit të kapaciteteve institucionale që përfshijnë rritjen e kapaciteteve për zhvillimin e politikave të pensioneve si dhe përmirësimin e të  kuptuarit të sistemit të pensioneve nga ana e publikut të gjerë. Aktivitetet që do të mbulojë ky financim do të mbështesin reformën administrative të sistemit të pensioneve, ngritjen e Arkivës qendrore të kontribuesve dhe përfituesve, krijimin e kapaciteteve për politikat e zhvillimit të pensioneve si dhe edukimin publik mbi sistemin e pensioneve, shtoi Kostallari. Projekti ka filluar të zbatohet në Janar 2002 duke pasur si objektiv kryesor përmirësimin e standardeve të jetesës së të varfërve dhe grupeve vulnerabël të popullsisë në Shqipëri përmes:; Rritjes së aksesit të tyre në shërbimet efektive të përkujdesit social; Ndihmës për qeverinë në zhvillimin e politikave efektive të përkujdesit social dhe zhvillimin e kapaciteteve të veta për shpërndarjen dhe monitorimin e këtyre shërbimeve, si dhe përmirësimit të eficiencës dhe efektivitetit të sistemit të pensioneve. Sipas Kostallarit, kredia fillestare ka mbështetur deri më sot shërbime në 43 qendra ditore të përkujdesjes sociale duke ofruar shërbime dhe politika të standardeve të reja për më shumë se 25.000 përfitues nga grupet më të varfra të popullsisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›