Rumania, kundërshtar i vështirë për Shqipërinë

Rumania në volejboll për meshkuj ka rezultuar përsëri një kundërshtar i vështirë për kombëtaren tonë. Pikërisht në startin e ndeshjeve të Ligës së Argjendë të Federatës Europiane të Volejbollit, rumunët kanë fituar në sallën olimpike “Feti Borova”, 3-1. Edhe pse tifozët kuqezi u munduan të ndiznin atmosferën dhe ta karikonin skuadrën tonë në fund gjithçka ka rezultuar me humbje. Vetëm Anton Qafarena ka qenë shumë pak për kombëtaren tonë, e cila e ka nisur lojën si e mpirë. 4-8, 4-10, 12-16 dhe në fund seti i parë 19-25 për Rumaninë.
Edhe i dyti nis po kështu, madje me keqkuptime në vendosje që sjellin zëvendësime të detyrueshme, por që nuk rregullojnë asgjë në lojë. 4-9, 8-9, 11-15 dhe përfundimi 21-25. I treti është një shkundje totale për kuqezinjtë që reagojnë dhe mes shumë sakrificash e fitojnë setin duke hapur lojën. 8-5, 12-12, 19-20, 24-24, ndërsa Rumania djeg dy mundësi për të mbyllur ndeshjen në 3-0. Dhe me Qaferencën në top-formë, Shqipëria fiton setin e tretë 27-25.
Mirëpo atëherë kur kërkohej ky ritëm, tanët nuk reagojnë më. Dhe Rumania e ka më shumë se sa të lehtë për të fituar setin e katërt; 9-11, 9-13 dhe në fund 14-25. 3-1 për Rumaninë, ndërsa tanët do të jenë në fushën e lojës të shtunën në ora 16:00 në Tuzla në transfertën boshnjake.