E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rummenigge pret “ferr” në Madrid

Drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heimz Rummenigge ka thënë se pret që përballja e dytë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit të jetë udhëtim për në “ferr”.

Bayerni ka epërsi 2-1 nga dueli i parë në Munich kur sulmuesi gjerman Mario Gomez shënoi golin e fitores në minutën e 90-të. “Kemi respekt të madh për Realin, por jo frikë, edhe pse presim ferr në stadiumin Bernabeu”, deklaroi Rummenigge për agjencinë e lajmeve SID.

“Goli në minutën e fundit na ka dhënë një shans të vogël, por do të jetë jashtëzakonisht vështirë. Ne duhet të përqendrohemi plotësisht dhe të luajmë ngushtë në mbrojtje”, shtoi ai. Rummenigge theksoi se Bayerni nuk duhet të tentojë të mbrohet kundër Realit dhe duhet të bëjë gjithçka që mundet për të realizuar një gol të hershëm.

“Ne duhet të mundohemi të shënojmë një gol. Nëse kthehemi mbrapa dhe mbrohemi nuk do të arrijmë asgjë kundër një skuadre me fuqi të madhe sulmuese”, theksoi ai.

Tifozët e Bayernit ëndërrojnë finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin e tyre Allianz Arena më 19 maj kundër Chelseas ose Barcelonën. Trofeu tashmë ka mbërritur në qytetin bavarez.

“Sigurisht se do të jetë një ëndërr e madhe të arrijmë në finale në shtëpi. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar këtë ëndërr”, përfundoi ai. Asnjë skuadër nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve në stadiumin e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›