E Diel, 1 Nëntor 2026

Rushaj: Kupola socialiste dhe familjarët e tyre, të zhytur në evazion fiskal

06-02-2013 / Gazeta 55

Zëvendësministri i Financave z. Alfred Rushaj u ka bërë sot thirrje drejtuesve të PS-së dhe familjarëve të tyre të paguajnë detyrimet që kanë ndaj shtetit.
Zoti Rushaj tha se, ata që sot betohen në ndryshim të sistemit të taksave, janë të zhytur në evazion fiskal. Pagesa e taksave do ishte mënyra më e mirë tha Rushaj për të treguar ndershmërinë e tyre para të gjithë taksapaguesve të tjerë.
Në një bashkëbisedim me bizneset e kryeqytetit tek kryqëzimi i rrugës “Mine Peza” me “Unazën”, zoti Rushaj tha se, deri me sot kupola e drejtuesve socialistë ka treguar se ata vetëm dinë të rrisin informalitetin dhe evazionin fiskal.
“Çfarë është për t’u theksuar dhe çfarë kërkojnë bizneset nga shteti, është që të gjithë të taksohen në mënyrë të barabartë. Pra të gjithë të jenë në sistem, të luftohet informaliteti, të mos ketë përjashtime që disa paguajnë, disa nuk paguajnë dhe mbi të gjitha të luftohet le të themi ajo mënyrë klienteliste e të vendosurit të taksave. Të gjitha masat që kemi ndërmarrë i shërbejnë pikërisht informalizimit, i shërbejnë pikërisht incentivave që duhet t’i japin individit dhe biznesit të vogël. Ata deputet që bërtasin dhe betohen për të bërë përjashtime, për ta prishur këtë sistem do të bënin mirë që të jepnin një kontribut paksa më pozitiv dhe më të ndjeshëm. Do të bënin mirë që të mos bënin evazion fiskal ata dhe familjarët e tyre. Do të bënin mirë që të paguanin taksat ata dhe familjarët e tyre.  Kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar këta biznesmenë dhe këta individ, për t’u marrë shërbimi që duhet dhe për t’ia lehtësuar barrën tatimore ”- është shprehur zv/ministri i Financave z. Rushaj.
Tregtarët e njësisë bashkiake numër 9 thanë sot se, niveli i taksave nga 2010 në 2012 ka pësuar ndryshime, duke u përgjysmuar me ardhjen në krye të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, sikundër kanë demaskuar z. Edi Rama që trumbeton për ulje taksash, ndërkohë që në kohën e tij ai vetëm dinte të rriste taksa.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›