E Diel, 1 Nëntor 2026

Noka: Drogat e forta larg Shqipërisë – Policia rriti zbulueshmërinë e krimit

06-02-2013 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare: “Mos votimi i tre ligjeve nga opozita, për arsye të errëta politike”

Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka deklaruar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se Shqipëria nuk është më korridor i preferuar i trafikimit të lëndëve narkotike apo drogave të forta. Ministri Noka  i thirrur nga komisioni për të pasqyruar gjendjen kriminalitetit në vend, e cilësoi vitin 2012, si një vit mjaft të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. “Vullneti i ministrisë që unë drejtoj, theksoi Noka, dhe qeverisë që përfaqësoj për të realizuar marrjen e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian është dëshmuar qartë në ligjet e votuara në Parlament. Më duhet të veçoj këtu 3 ligjet e mbetura pezull, fatkeqësisht të mos votuara nga opozita për arsyet e saj të errëta politike”. 
Më pas duke vijuar me arritjet e dikasterit që ai drejton, Noka vlerësoi se Policia e Shtetit, si një nga organet kyçe në luftën kundër kriminalitetit ka arritur rezultate të shkëlqyera, ndërsa nënvizoi se gjatë vitit 2012 është realizuar për herë të parë monitorimi nga ajri i gjithë territorit të vendit për identifikimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike. “Gjatë vitit 2012, Shqipëria u vlerësua nga Europoli si një korridor jo i pëlqyer për trafikantët e lëndëve narkotike. Numri i rasteve të lëndëve narkotike të kapura rezulton 47.3 për qind më shumë se një vit më parë. Numri i autorëve të goditur 29.4 për qind më shumë se në vitin 2011”, bëri të ditur Noka, duke ilustruar konkretisht edhe lëndët narkotike të sekuestruara. “Sasia e lëndës narkotike të sekuestruar rezulton 3 herë më e lartë se në vitin 2011, sa i takon heroinës dhe marihuanës, ndërsa 2 herë më i lartë se në vitin 2011 për kokainën”, theksoi Noka.
Ministri i Brendshëm gjithashtu informoi komisionin edhe mbi gjendjen e kultivimit të lëndëve narkotike.
Sipas tij, gjatë 2012 u evidentuan 148 raste të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa janë individualizuar 142 autorë, prej të cilëve 95 janë arrestuar, ndërsa 31 mijë bimë narkotike janë asgjësuar. Ministri bëri me dije se janë sekuestruar 13 milionë euro asete kriminale, ndërkohë që llogariten rreth 2500 vepra penale në krimin ekonomik të zbuluar. “Lufta kundër krimit ekonomik, korrupsionit dhe konfiskimi i aseteve të krimit është prioriteti ynë. Janë sekuestruar 13 milionë euro nga asetet e krimit nga 7 milionë euro që janë sekuestruar një vit më parë. Janë hetuar 95 zyrtarë për korrupsion, ndërsa 49 prej tyre janë arrestuar”, deklaroi ministri Noka.
Ai gjithashtu cilësoi nivelin e zbulueshmërisë përgjatë vitit 2012, si një nga arritjet më të mëdha të Policisë së Shtetit, ndërsa e ilustroi atë edhe më shifra. “Në sektorin e krimeve të rënda janë evidentuar 513 krime kundër personit, janë zbuluar 474 të tilla, pra 92 për qind e tyre, dhe po ta shohim edhe në bazë krahasuese ndër vite, rezultojnë 16 krime më pak se në vitin 2011”, tha Noka, duke iu përgjigjur këtu edhe zërave se gjatë vitit 2012 ka pasur më shumë krime se në vitin 2011. “Po ashtu, tha ministri i Brendshëm dëshmi e rritjes së nivelit të zbulueshmërisë është edhe sektori i rendit dhe sigurisë publike, ku janë evidentuar gjatë vitit të kaluar 15 350 vepra të lehta penale, nga të cilat janë zbuluar 12 454, pra 81 për qind e tyre”.
Duke vijuar më tej me statistika, Kreu i Ministrisë së Brendshme bëri të ditur se “nga 125 vrasje, 106 prej tyre janë zbuluar. Janë zbuluar 920 raste për armëmbajtje pa leje, 692 krime kundër pronës dhe vjedhje me pasojë vdekjen. Janë goditur 55 grupe kriminale dhe janë zbuluar 435  vepra penale të vjetra. Është rritur numri i aksidenteve në rrugë, por janë 6 viktima më pak se në vitin 2011. Në vendin tonë gjatë vitit 2012 kanë hyrë mbi 800 mijë makina dhe rreth 6 milionë shtetas të huaj. Viti 2012 është një vit i suksesshëm, pasi kufijtë janë më të sigurt dhe partnerët ndërkombëtarë kanë besim tek Policia e Shtetit”,  shtoi Noka.
Ndërsa një aspekt i rëndësishëm i punës së policisë për vitin 2012, sipas ministrit Noka, ka qenë mbështetja dhe plotësimi i nevojave të strukturave operacionale me burime njerëzore të kualifikuara, materiale, financiare dhe teknologji informacioni bashkëkohore. “Vlen të theksohet se për t’ u pranuar në strukturat e policisë kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm shtetasish me arsim të lartë. Pas konkurrimit rreth 95 për qind e personave të pranuar në strukturat e policisë, janë me arsim të lartë, pavarësisht se kriteri minimal i shkollimit është arsimi i mesëm”, deklaroi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›