E Diel, 1 Nëntor 2026

Rushdie: Janë fyer ata që s’e lexuan librin

“Një biografi e Joseph Antonit” quhet libri i fundit i shkrimtarit Salman Rushdie. Në fakt është kjo një autobiografi e tij, sepse Joseph Anton ishte emri i Salman Rushdie në kohën kur fshihej nga fatwa e lëshuar për kokën e tij, pas publikimit të librit “Vargjet Satanike”. Për këtë libër Rushdie flet edhe gjatë një interviste interesante me gazetaren e Top Channel, Rudina Xhunga.

Ndër pyetjet më interesante të Xhungës është pikërisht ajo që ndërlidhet me fatwa’n e shpallur më 14 shkurt 1989.

A nuk ju duket sikur kjo fatwa s’ka lidhje me ju, por me Joseph Antonin?

Përgjigja e Rushdie është e qartë.

“Jo, më ndodhi mua. Nga njëra anë, [fatwa] është ende shumë e pranishme në jetën time, sepse kishte pasoja shumë ekstreme për një kohë të gjatë… Mendoj se mënyra se si është shkruar ky libër, është mënyra se si unë përfundimisht e lë pas vetes atë histori. Gjithnjë e dija se doja ta shkruaja këtë libër. E dija që kisha një histori për të treguar. E dija se një ditë do ta shkruaja. E kur e bën, ndien sikur ke hequr një barrë”.

“A mund të thoni sot se me ‘Vargjet Satanike’ nuk donit të provokonit askënd?”, ishte pyetja tjetër për Rushdie.

“Provokimi dhe fyerja bëhen shumë lehtë. Po, nëse dua të të fyej, mund ta bëj shumë shpejt. S’kam nevojë për pesë vjet punë. Ka shumë myslimanë që i kanë lexuar ‘Vargjet Satanike’, dhe mendojnë se është libër shumë i mirë. S’e kanë fare problem.

Një numër shumë i madh i njerëzve që thonë se janë të fyer nga ai, se kanë lexuar asnjë fjali. Problemi s’është te romani, por te fanatizmi. Një gjë për të cilën jam përpjekur shumë gjatë që njerëzit ta kuptojnë, është që të mos e fajësojnë viktimën. Për krimin ka përgjegjësi krimineli. Nëse unë të fyej ty, dhe të them diçka shumë fyese, ti më urren për këtë, merr një armë dhe më qëllon. Është faji yt, jo i imi.

Njerëzit e dhunës janë fajtorë për veprimet e dhunshme. Jo ata që bien pre e atyre veprimeve. Fatkeqësisht, jetojmë në kohën kur retorika e fesë - e sidomos e asaj ekstreme - është aq e fuqishme, saqë përpiqet të heqë fajin. Pra, ‘ai njeri më fyeu, kështu që kam të drejtë ta sulmoj’. Jo, nuk është ashtu”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›