SHBA dhe Rusia urojnë Gjeorgjinë për zgjedhjet

“Shtetet e Bashkuara urojnë qytetarët e Gjeorgjisë për zgjedhjet parlamentare historike. Derisa numërimi vazhdon, ne mbështesim dhe i bashkohemi vlerësimit të vëzhguesve të OSBE-së dhe OHDIR-it se qytetarët e Gjeorgjisë kanë shprehur lirshëm vullnetin e tyre në kutitë e votimit”, ka thënë zëdhënësja e DASH-it, Victoria Nuland.
Sipas rezultateve preliminare, partia e presidentit Mikheil Saakashvili, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, ka humbur zgjedhjet ndaj koalicionit opozitar, i udhëhequr nga Bidzina Ivanishvili.
“Ne po ashtu duam të përgëzojmë presidentin Saakashvili për pranimin e humbjes. Ky është një moment i rëndësishëm historik për demokracinë në Gjeorgji, si dhe një sinjal demokratik për rajonin dhe shtetet e tjera që luftojnë për të qenë demokratike”, ka thënë Nuland.
Edhe ministria e Jashtme e Rusisë shpreson se zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, të cilat u fituan nga koalicioni “Ëndrra gjeorgjiane”, do të ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve të këtij vendi me fqinjët, thuhet në një komunikatë për media.
“Është e qartë që shoqëria gjeorgjiane ka votuar për ndryshime. Ne shpresojmë që këto ndryshime do ta bëjë të mundur fillimin e normalizimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive me fqinjët”, ka thënë zëdhënësi i ministrit të Jashtëm rus, Alexander Lukashevich.