E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, 12 të vrarë në shpërthime

Të paktën 12 persona mbetën të vrarë në dy shpërthime të ndodhura në periferi të Makhaçkalës, kryeqyteti i krahinës së trazuar ruse të Dagestanit.

Shpërthimi i dyfishtë, i ndodhur në orët e vona të së enjtes shënjestroi një postobllok policie në dalje të qytetit. Sipas burimeve mjekësore, janë të shumtë edhe njerëzit e plagosur.

Mediat ruse raportojnë se goditja e parë ndodhi kur një makine iu kërkua të ndalonte për të verifikuar dokumentat e shoferit. Gjatë kontrollit, mjeti shpërtheu. 20 minuta më pas, një shpërthim i dytë, i një kamioni të mbushur me eksplozivë, shkaktoi viktima të reja.

Dagestani dhe Republikat fqinje të Ingushetisë dhe Çeçenisë janë përfshirë nga pasiguri e lartë dhe dhunë në vitet e fundit, si rrjedhojë e përplasjeve midis forcave ruse të sigurisë dhe militantëve islamikë që kërkojnë të themelojnë një shtet të pavarur.

Asnjë grup nuk ka marrë ende përsipër përgjegjësinë e sulmeve, ndonëse në Dagestan ngjajet të tilla nuk janë të rralla, pasi krahina me shumicë muslimane konsiderohet si një prej më të pasigurtave në botë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›