E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, 43 viktima nga rrëzimi i aeroplanit

Ministria për Situata Emergjente në Rusi, tha se të paktën 43 njerëz kanë humbur jetën nga rrëzimi i aeroplanit në qytetin Jarosllav, rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës.

Aeroplani po transportonte ekipin e hokejit të Jarosllavit në Minsk të Bjellorusisë, për ndeshjen e parë të sezonit 2011-2012.

Ministria ka bërë të ditur se në bord ndodheshin 45 persona, 37 anëtarë të ekipit dhe tetë pjesëtarë të ekuipazhit. Dy të mbijetuarit raportohet të jenë në “gjendje të rëndë”.

Presidenti i Federatës Ruse të Hokejit, Vlladisllav Tretjak, tha se tragjedia është një humbje e madhe për hokejin rus.

“Shprehim ngushëllimet tona, në radhë të parë për familjet dhe më pas për klubin e Jarosllavit. Dua të them se kjo është një humbje e madhe për hokejin e Rusisë, sepse kanë qenë shumë lojtarë të mirë në këtë ekip”, tha Tretjak.

Shkaku i rrëzimit të aeroplanit nuk ka qenë i qartë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›