Bramerc viziton Beogradin, në lidhje me gjykimet në Hagë
Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serzh Bramerc, do të qëndrojë në Beograd në 12 dhe 13 shtator. Kështu ka bërë të ditur këshilltari i tij, Frederik Svinen.
Temë e bisedimeve të Bramercit me zyrtarët serbë, mësohet të jetë vazhdimi i bashkëpunimit në lidhje me gjykimet aktuale në Hagë.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me gjykimin e Haradinajt, pasi dëshmitari kryesor, Shefqet Kabashi, refuzoi të dëshmojë, Svinen tha se prokuroria "shpreson që gjykimi të jetë i suksesshëm".
Ndërkaq, sa i përket dënimit të ish-shefit të ushtrisë jugosllave, Momçillo Perishiç, ai tha se prokuroria po analizon vendimin dhe brenda një muaji do të vendosë nëse do ta apelojë ose jo.
Perishiç është dënuar me 27 vjet burg nga Tribunali i Hagës, pasi "ka ndihmuar dhe mbështetur vrasjen dhe veprimet çnjerëzore në Sarajevë, Srebrenicë dhe Zagreb".