E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, Avokati i Popullit: Dënimi i Pussy Riot, i tepruar

Avokati i Popullit në Rusi, Vlladimir Llukin, vlerësoi se dënimi me burg i tre anëtareve të grupit muzikor Pussy Riot është i tepruar.

Ai theksoi se tre anëtaret e grupit, të cilat në muajin shkurt e organizuan një protestë në një katedralë ortodokse në Moskë, kundër pushtetit të Vlladimir Putinit, kanë kryer “kundërvajtje, jo vepër penale”.

Tre anëtaret e grupit Pussy Riot janë dënuar javën e kaluar me dy vjet burg, pasi një gjykatë i shpalli fajtore për “huliganizëm i motivuar nga urrejtja fetare”.

Vlladimir Llukin, që është Avokati I Popullit i emëruar nga parlamenti rus, tha se ai do të përpiloj një ankesë nëse dënimi mbetet edhe pas apelit.

Ky dënim ka shkaktuar protesta në Rusi dhe në mbarë botën, ndërsa qeveritë e vendeve perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut, vendimin e gjykatës e kanë cilësuar si joobjektive.

Qeveria e Rusisë ka tërhequr vërejtjen kundër “histerisë” lidhur me vendimin e gjykatës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›