Energjia elektrike humb në rrjetet e amortizuara

Energjia elektrike humb në rrjetet e amortizuara. Sipas të dhënave të INSTAT humbjet në rrjet janë rritur me 50.3 përqind gjatë gjashtëmujorit të parë 2012 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në këtë mënyrë rreth gjysma e energjisë e cila është në përdorim prej konsumatorëve humbet gjatë shpërndarjes në rrjet.
Ndërkohë përsa i përket prodhimit energjia elektrike në Shqipëri për 6 mujorin e parë të këtij viti ka pësuar ulje më 4 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ka ardhur si pasojë e motit të thatë i cili ka shoqëruar vendin tonë përgjatë gjithë verës. Prodhimi i hidrocentraleve si rezultat u ul me rreth 19.5 përqind duke dhënë ndikimin kryesor në rënien e burimeve të energjisë elektrike. Ky prodhim këtë gjashtëmujor, zuri 92.5 përqind të prodhimit gjithsej në vend. Rritje prej 62.4 përqind ka energjia e prodhuar nga impjantet private e me konçension krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
TEC-et gjatë gjashtëmujorit të parë 2012 nuk kanë prodhuar energji elektrike.Ulja e prodhimit si rezultat ka ndikuar në rritjen e importit të energjisë elektrike. Shpesh gjatë verës vendi ynë importon energji pasi prodhimi i energjissë nuk përmbush të gjitha kërkesat për energji në Shqipëri. Kështu sipas INSTAT është importuar rreth 44.9 përqind të sasisë të energjisë elektrike të përftuar gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2012 nga 36.7 përqind që përbënte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011. Gjithsesi një aspekt pozitiv është ulja e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët. Përdorimi nga konsumatorët është ulur me 26.9 përqind krahasuar me gjashtëmujorin e parë në vitin 2011.
Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është ulur me 17.1 përqind ndaj sasisë së energjisë elektrike të konsumuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012. Ky sektor ka konsumuar 59.5 përqind të sasisë së përdorur nga konsumatorët gjithsej. Energjia elektrike e konsumuar nga përdoruesit e tjerë është ulur me 37.9 përqind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.