Rusia: Aderimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është destabilizuese

Sfida tjetër ndaj Rusisë luhet në tryezën e NATO-s që është mbledhur këtë të mërkurë në Madrid të Spanjës, ku do të vendoset për hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në Aleancën e Atlantikut. Aderimi në NATO i Finlandës dhe Suedisë është kundërshtuar nga presidenti rus Putin, i cili e shikon kërcënim zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
Heqja e vetos nga Turqia, i ka hapur rrugë dy vendeve drejt anëtarësimit duke sjellë edhe reagimin e ashpër të Moskës, duke e konsideruar këtë veprim si destabilizues për vendin.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov e përshkroi zgjerimin me Finlandën dhe Suedinë si “thellësisht destabilizuese”. Ryabkov tha se zgjerimi i NATO-s nuk shton sigurinë e anëtarëve të aleancës.
Të tre vendet, Turqia, Finlanda dhe Suedia nënshkruan një memorandum të përbashkët “për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit” pas takimit në samitin e NATO-s në Madrid.
/rtsh.al/