Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani klonizojnë BE

Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani kanë rëndë dakord për krijimin e një Bashkimi Euroaziatik të Ekonomisë.
Presidentët e tri ish-republikave sovjetike, të cilat tashmë kanë një sistem të përbashkët doganor, nënshkruan një deklaratë në Kremlin me qëllim krijimin e një Bashkimi Euroaziatik të Ekonomisë deri në vitin 2015.
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, ai i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenka dhe homologu i tyre nga Kazakistani, Nursultan Nazarbaev, ranë dakort gjithashtu për krijimin e një trupi mbikombëtar ekzekutiv, i cili do të ketë për detyrë mbikëqyrjen e thellimit të integrimit ekonomik.
Kryeministri rus, Vladimir Putin, së fundi kishte prezantuar idenë e një bashkimi ekonomik në Euroazi të tipit të BE-së.
Medvedev tha se çdo ish-republikë sovjetike është e mirëseardhur t`u bashkohet tri shteteve inicuese.
Kritikët kanë thënë se projekti ka për qëllim rikrijimin e Bashkimit Sovjetik me një format tjetër, por presidenti i Kazakistanit Nazarbaev hodhi poshtë këta zëra.
“Si mund të flasë dikush për rinkarnacionin e (Bashkimit Sovjetik)? Bashkimi Sovjetik ekzistonte nën një sistem të komanduar administrativ, me pronën totale të shtetit mbi prodhimin dhe me një ideologji komuniste si shtyllë kurrizore të Partisë Komuniste. A mund ta imagjinoj dikush restaurimin e Gosplanit dhe Gosnabit tani? Ne duhet t`u shpjegojmë njerëzve se këto janë vetëm frika dhe fantome të pakuptueshme të shpërndara nga kundërshtarët tanë ose thjesht armiqtë, të cilët thjesht nuk duan të shohin që një integrim i tillë të ndodhë në territorin tonë”, u shpreh ai.
Komisioni Euroaziatik i Ekonomisë do të udhëhiqet nga ministri rus i industrisë, Viktor Kristenko, ndërsa Bashkimi Euroaziatik i Ekonomisë do ta ketë selinë në Moskë.