E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia: Me Korenë nuk duhet një konfrontim ushtarak

Moskë - Rusia bën thirrje që një luftë nervash me Korenë e Veriut nuk duhet të lejohet të përshkallëzohet dhe të degjenerojë në një konfrontim ushtarak. Deklarata erdhi sot nga një zyrtar rus në një referencë të qartë ndaj vendimit të Phenianit për të konsideruar të pavlefshme një marrëveshje armëpushimi.

"Ne besojmë se një lojë e rrezikshme me zjarrin, një luftë nervash, ka filluar, por nuk duhet të përshkallëzohet në një luftë të nxehtë. Të gjitha palët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje", nënvizonte agjencia e lajmeve Itar-Tass, duke cituar një burim të paidentifikuar të Ministrisë së Jashtme ruse.

Ministria e Jashtme ruse përdor burime të paidentifikuara, të cituar nga agjencitë zyrtare të lajmeve, për të shprehur qëndrimin e saj lidhur me çështje shumë të ndjeshme. Koreja e Veriut është kundërpërgjigjur ndaj dënimit nga komuniteti ndërkombëtar të provës bërthamore të dy ditëve më parë dhe paralajmërimeve për sanksione të reja të OKB-së, duke deklaruar se nuk ndjehej më e detyruar për respektimin e armëpushimit të nënshkruar me Korenë e Jugut në fund të Luftës Koreane të viteve 1950-'53.

Presidenti rus, Dimitri Medvedev ka dënuar provën bërthamore të Koresë së Veriut, por ndërkohë Ministria e Jashtme ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar kundër çdo veprimi të nxituar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›