E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zelandë e Re, tigri i bardhë sulmon për vdekje punëtorin

Uellington - Një punëtor i një kopshtit zoologjik në Zelandën e Re është sulmuar për vdekje nga një tigër i rrallë, i bardhë. Mediat lokale bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në kopshtin “Zion Wildlife Gardens" të qytetit Whangarei.

Agjencia e shtypit "NZ" bëri të ditur se tigri sulmoi një nga punëtorët dhe nuk e lëshoi pavarësisht përpjekjeve të pjesës tjetër të stafit për të shpëtuar kolegun e tyre. Sipas medias lokale, një grup turistësh kishin qenë të pranishëm gjatë kësaj ngjarjeje fatale për punonjësin e kopshtit zoologjik, që përkohësisht është mbyllur, ndërsa tigri është vrarë.

Një tigër i bardhë në të njëjtin kopsht zoologjik kishte sulmuar një vit më parë një punëtor tjetër.

Ky kopsht zoologjik ka 42 luanë dhe tigra të një race të rrallë dhe është përdorur si skena e një programi televiziv për themeluesin e tij Craig Busch, i njohur ndryshe edhe si "Lion Man".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›