Rusia do të humbasë statusin e ‘kombit më të favorizuar’

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e Grupit të Shtatë pritet të revokojnë statusin tregtar të “kombit më të favorizuar” të Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës raporton BBC.
Presidenti amerikan Joe Biden do ta shpallë këtë në orën 10:15 të mëngjesit EST (15:15 pasdite me orën e Mbretërisë së Bashkuar), sipas raporteve të mediave.
Vendet e “kombit më të favorizuar” në përgjithësi nuk mund të diskriminohen ose të kenë akses të kufizuar në tregje, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Masa do të hapë rrugën për vendosjen e tarifave ndaj mallrave ruse, krahas rritjes së sanksioneve ekonomike.
Më herët të premten, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki dënoi raportet se Moska mund të konfiskojë asetet e bizneseve që kanë ndaluar së funksionuari në Rusi.