Rusia i jep Serbisë kredi 800 milionë dollarë

Rusia i ka akorduar Serbisë një kredi në shumë prej 800 milionë dollarëve amerikanë për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore me afat kthimi (shlyerje) prej pesë vjetëve, tha sot ministri rus i Financave Anton Siluanov.
Ai saktësoi se norma e interesit për këtë kredi do të jetë 4.1 për qind dhe se një pjesë e kësaj kredie do t’i jepet në dispozicion Serbisë që këtë vit, njofton agjencia ruse e lajmeve Interfaks. Sipas medieve beogradase Serbia ka kërkuar kredi në shumë prej 1 miliardë dollarëve, nga të cilat për sivjet 300 milionë.
Për realizimin e ndërtimit dhe modernizimit të hekurudhave nevojiten gjithsej 920 milionë dollarë, por Serbia duhet të sigurojë vet 15 për qind të kësaj shume, apo 120 milionë dollarë.
Me kushtet e kredisë është paraparë që 70 për qind të punimeve t’i kryejnë firmat ruse, kurse vetëm 30 për qind ato serbe.
Negociatat për kredinë ruse kanë filluar që në vitin 2009, kurse gjatë vitit 2010 janë tërhequr 200 milionë dollarë për përkrahje të buxhetit shtetëror të Serbisë. /Indeksonline/