Prokuroria heton edhe Doganën!

Futja e pasaportave biometrike në Kosovë, pa paguar taksën doganore ka nxitur Prokurorinë e Shtetit që t’i nisë hetimet rreth personave që kanë “gisht” në këtë çështje.
Të premten “Zëri” ka raportuar se si kompania austriake që prodhon pasaportat kosovare, OeSD, përkatësisht nënkontraktuesja e kësaj kompanie, “Consulting Eu”, që është përfaqësuar nga Natalije Velija, në bashkëpunim me zyrtarë të MPB-së dhe të Doganës së Kosovës, kanë arritur që t’i importojnë pasaportat duke i futur në një “thes” me broshurat, për të cilat paguhen vetëm Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), por jo edhe taksa doganore, prej 11%.
Pikërisht ky veprim, nga i cili buxheti i vendit deri tash ka humbur rreth treqind mijë euro, dhe nga i cili rrezikohet të humbin edhe rreth një milion e treqind mijë euro të tjera, sipas zyrtarëve të Prokurorisë së Shtetit, ka bërë që të nisin menjëherë hetimet.
“Sa i përket rastit për futjen e pasaportave në Republikën e Kosovës, pa paguar doganë, Prokuroria e Shtetit ka mësuar nga artikulli “Skandali vazhdon, pasaportat pa doganë!”, publikuar sot, më 23.11.2012 në gazetën e përditshme “Zëri”.
Prokuroria e Shtetit menjëherë sot në mëngjes ka vepruar duke ia ndarë këtë artikull prokurorit kompetent që të fillojë me procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Liridonë Kozmaqi./Indeksonline/