Rusia i ndërpret energjinë elektrike Bjellorusisë
Rusia ka ndalur furnizimin me energji elektrike të Bjellorusisë pasi kjo e fundit ka dështuar që të bëjë pagesën e borxheve, për shkak të krizës ekonomike.
Kompania e energjisë elektrike, RAO UES, ka ndaluar furnizimin me energji elektrike në mesnatë, ndërsa ka njoftuar se furnizimi do të rikthehet vetëm 24 orë pasi të bëhet pagesa e borxhit.
Fjala është për një borxh prej 21.3 milion euro apo 600 milion rubla ruse të cilat Bjellorusia duhej t`i paguante deri më 20 qershor. Bjellorusia e siguron një të dhjetën e energjisë elektrike nga Rusia. Ky shtet momentalisht është duke u përballur me krizën më të rëndë ekonomike që prej kohës sovjetike.