Rusia i përgjigjet me raketa zgjedhjes së presidentit Obama
Vetëm dy ditë pas votimeve amerikane, presidenti rus deklaroi se shteti i tij do të instalojë raketa me rreze të gjatë veprimi në Kaliningrad, enklavën më perëndimore të vendit, duke u shprehur e painteresuar për shpjegimet amerikane, se raketat e tyre në Evropë, nuk kishin në shënjestër objektivat ruse
Rusia do të stacionojë raketa me rreze të shkurtër veprimi në Kaliningrad. Kjo deklaratë e presidentit të Rusisë, Dmitri Medvedjev bëri të mos i kushtohet vëmendje njoftimit tjetër të tij për hapa konkretë demokratizues për Rusinë. Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedjev nuk i bëri vetes ndonjë shërbim kur në fund të fjalës së tij të parë drejtuar kombit foli për stacionimin e raketave Iskander në Kaliningrad. Perëndimi reagoi menjëherë dhe nuk foli më për gjë tjetër. Kjo në një kohë, kur këto plane që Rusia i sheh si përgjigje ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes raketore në Çeki dhe Poloni nuk janë të reja. Që në verë të vitit të kaluar ish-zëvendëskryeministri Ivanov tha se Rusia do të hiqte vetëm atëherë dorë nga raketat, po të bihej dakord për një projekt të përbashkët: "Po të pranohej propozimi ynë, atëherë për ne nuk do të kishte më nevojë që të staciononim çfarëdolloj tipash të reja armësh ose raketash në pjesën evropiane të vendit, për shembull në Kaliningrad".
Surpriza e vërtetë mbeti në hije/Në gjithë emocionin e shkaktuar nga raketat dhe vija e ashpër në politikën e jashtme, të cilën e paraqiti pasardhësi i Putinit, surpriza e vërtetë u harrua krejtësisht. Medvedjevi paralajmëroi për herë të parë hapa konkretë, për të demokratizuar politikën e brendshme ruse. Edhe organizatat joqeveritare dhe institucionet shoqërore do të luajnë këtej e tutje një rol, tha ai. "Unë propozoj, që të merren masa, të cilat të përkujdesen që qytetarët të jenë në gjendje të marrin pjesë më aktive në jetën politike" - tha Medvedjevi.
Shans për partitë e vogla/Themelimi dhe regjistrimi i partive për shembull do të lehtësohet, po ashtu edhe hyrja e tyre në parlament. "Pesë milionë nga qytetarët tanë preferuan në zgjedhjet e fundit parti, të cilat nuk arritën të futen në parlament. Këta njerëz tani nuk kanë përfaqësues në nivel federal. Dhe kjo, megjithëse ata janë angazhuar. Kjo është e padrejtë". Medvedjevi vërtet që do t'i përmbahet hë për hë kufirit të 7 përqindshit, por ai mund ta përfytyrojë një rregullim të përkohshëm, për t'u dhënë një shans partive të vogla, por edhe organizatave joqeveritare, që kanë paraqitur kandidatë: "Propozimi im do të ishte, që partitë që arrijnë të fitojnë pesë deri shtatë përqind të votave, të jenë në gjendje të presin deri dy mandate". Parlamenti pritet të fitojë një peshë më të madhe përballë qeverisë. Raportime të rregullta të kabinetit do të kthehen në detyrim. Për të konceptuar dhe zbatuar reforma urgjente, Medvedjevi kërkoi një zgjatje të periudhës legjislative të Dumas në pesë vjet. Presidenti sipas tij duhet të rrijë gjashtë vjet në post. Më shumë demokraci dhe transparencë do të ketë edhe në raportin midis qendrës dhe rajoneve. Guvernatorët do të emërohen vërtet nga presidenti, siç është praktikuar nga Putini, por partitë e shumicës në rajon do të kenë mundësinë të propozojnë kandidatë. "E drejta ekskluzive për paraqitjen e kandidatëve përkatës u takon në këtë mënyrë strukturave publike dhe të hapura politike". Më pak shtet, është kredoja e Medvedjevit. Presidenti rus duhet të provojë tani, se do të ndjekë një linjë të ashpër jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në politikën e brendshme. Propozimet e tij reformuese ofrojnë shansin për ta hapur sistemin e përcaktuar që lart dhe për ta liberalizuar pak shoqërinë e shtetëzuar.
SHBA, e zhgënjyer nga planet ruse për dislokim raketash/Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera nga vendimi i Rusisë për të vendosur raketa me rreze të shkurtër veprimi në kufi me Bashkimin Evropian. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak tha se zyrtarët amerikanë kanë bërë përpjekje të shumta për t’iu përgjigjur shqetësimeve ruse lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat që ka në plan të vendosë administrata amerikane në Poloni dhe në Republikën Çeke. Zëdhënësi ritheksoi garancitë amerikane se sistemi nuk ka si objektiv Rusinë, por shtoi se Moska ka vendosur tashmë t’i bëjë qëndresë këtij sistemi. Komentet e administratës pasojnë një fjalim të Presidentit rus Dimitri Medvedev, ku ai u zotua të vendosë raketa të reja në rajonin rus të Kaliningradit, në kufi me Poloninë dhe Lituaninë. Rusia e ka portretizuar planin amerikan për të vendosur raketa interceptore në Poloni dhe një radar që lidhet me sistemin e raketave në Republikën Çeke si një kërcënim ndaj sigurisë ruse, megjithëse administrata e Presidentit Bush nënvizon se sistemi ka si synim të vetëm të parandalojë rrezikun e sulmeve me raketa nga Irani apo vende të tjera “të papërgjegjshme”. Në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit zoti Medvedev tha dje se raketat ruse Iskander me një rreze veprimi prej afro 300 kilometrash, do të dislokoheshin në kundërpërgjigje të interceptorëve amerikanë dhe tha se Moska do të përpiqej ta bllokonte elektronikisht sistemin amerikan. Rusia kishte kërcënuar edhe më parë se do të kundërpërgjigjej, por komentet e Presidentit Medvedev ishin shenja e parë konkrete e një synimi të tillë. Në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit, zëdhënësi Shon Mekormek tha se ende shpreson se Moska do të bindet se sistemi nuk paraqet kërcënim për të: "Pa diskutim, veprimet ruse na kanë zhgënjyer. Por dua ta përsëris se sistemi i mbrojtjes nga raketat në Republikën Çeke dhe Poloni nuk ka si objektiv Rusinë. Është e qartë se numri i vogël i interceptorëve që do të vendosen në Poloni është i papërfillshëm përballë forcës ruse. Ky sistem për mbrojtje nga raketat ka si objektiv të shërbejë si mbrojtje nga vende të papërgjegjshme, për shembull Irani, i cili po punon për teknologji të raketave me rreze të gjatë veprimi". Komente të ngjashme bëri edhe Pentagoni, i cili theksoi se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Moskës një numër marrëveshjes për transparencë dhe seanca informimi për të eliminuar shqetësimet ruse. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mekormak tha se nuk kishte dieni për ndonjë kontakt direkt mes Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Medvedev lidhur me këtë çështje. Por ai tha se pritet që Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs do ta diskutojë çështjen me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov të dielën, kur të dy ministrat do të marrin pjesë në një takim të Kuartetit të Lindjes së Mesme në Egjipt. Fjalimi i zotit Medvedev të mërkurën përfshinte kritika të shumta dhe të ashpra ndaj Shteteve të Bashkuara, për politikë të jashtme egoiste dhe gabime ekonomike të cilat, sipas zotit Medvedev, shkaktuan krizën globale financiare. Komentet shtangën shumë analistë, të cilët kishin parashikuar një prirje drejt pajtimit një ditë pas zgjedhjes së Presidentit të ri amerikan.
Edhe ministri gjerman Steinmeier kritikon deklaratat e presidentit rus/Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer kritikoi paralajmërimet e Rusisë për stacionimin e raketave në shenjë reagimi ndaj planeve amerikane për ngritjen e një sistemi mbrojtës antiraketor në Evropën e Mesme. Ky është një sinjal i gabuar në kohë të gabuar, deklaroi Shtajnmajer për televizionin gjerman. Zgjedhja e demokratit Barak Obama për president të ri të SHBA-ve krijon mundësi tërësisht të reja në politikën ndërkombëtare. Presidenti rus Dimitri Medvjedev në një fjalim drejtuar kombit deklaroi dje në Moskë se me raketat Iskander do të neutralizohet mburoja raketore amerikane. Kreu i shtetit rus sulmoi në të njëjtën kohë me fjalë të ashpra SHBA-të.
...