Edhe njëherë për Amerikën e ndryshimit

Keto ishin fjalët e Presidentit të sapozgjedhur, senatorit Barac Obama, Presidentit të 44-t të shtetit më të fuqishëm në botë, por edhe shtetit më demokratik (per fat të mirë të të gjithëve) në botë. Pasqyrë e drejtpërdrejtë për çdo komb, që do të respektojë veten, historinë, të tashmen dhe të ardhmen e tij. Revolucion, evolucion i paparë, i realizueshëm, … mund të thuash e gjesh gjithcka, që mund të përshkruajë rastin unik të kësaj zgjedhjeje. Por mbi të gjitha është një hap historik për të gjithë botën. Për më shumë për vetë kombin amerikan të lodhur së fundi nga terrorizmi, nga dy luftëra e nga kriza financiare.
Këto zgjedhje po shkruajnë historinë e ardhshme te së vetmes superfuqi. Jo vetëm për faktin që një njeri me ngjyrë do të ulet në Shtëpinë e Bardhë kur vendosen shumë “fate”, por për faktin se sistemi demokratik amerikan tregoi e vertetoi se si ndërtohen demokracitë e vërteta ku ngjyra e prejardhja nuk janë thelbësore. Vetëm një demokraci e tillë, e ndërtuar mbi baza të vërteta mund ta realizonte një hap të tillë historik.
Për herë të parë pas shumë vjëtësh miliona njerëz në të gjithë botën e ndjenë se zgjedhjet në SHBA ishin kaq afër tyre, jetës së tyre të përditshme. Padyshim, që ishte politika aktuale e presidentit Bush, e cila kishte krijuar kundërshtarë e pakënaqësi të theksuar kudo, edhe brenda Amerikës, por sidomos jashtë saj. Jo edhe aq për ne si shqiptarë në konteksin e ngushtë, përkundrazi. Mjaft shqiptarë, për arsye që dihen e që kanë të bëjnë me Kosovën a çështje të ashtuquajtura kombëtare, do të preferonin vazhdimin e politikës së administratës Bush. Por problemi në konteksin global është mjaft i gjerë, shumë më i gjerë. Zgjedhja e një Presidenti në SHBA ndikon kudo, madje së fundi edhe tek jeta e përditshme. Dhe këtë e tregoi katërcipërisht kriza e fundit ekonomike. Dhe pikërisht ishte ky shtet që reagoi i pari për të rregulluar pasojat katastrofike, mbi tregjet ekonomike botërore të ndjekura paksa me vonesë por në kohën e duhur edhe nga shtetet evropiane, aleatët organikë të SHBA-së.
Çfarë pret bota nga Presidenti i ri? Rivendosja e marrëdhëënieve me Evropën, adoptimi i një politike që do të propozojë dialogun real dhe mirëfunksionimi i marrëdhënieve ndërkombëtare është ajo çka presin të gjithë nga presidenti i ri. Dhe kjo është shumë e rëndësishme po të mendosh se shumë probleme serioze janë grumbulluar në horizontin ndërkombëtar dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë politike, por edhe zhvillimin e prosperitetin ekonomik. Të gjitha këto mund të kalohen vetëm me një bashkëpunim të saktë të palëve. Në plan të parë natyrisht do të jëtë kriza ekonomike dhe nevoja e një rendi të ri ndërkombëtar që do të ketë rregulla të sakta të tregut, për të mos lejuar shkaqet e pasojat që sollën krizën. Një politikë ekonomike e rigjeneruar, që të ketë në bazë liberalizmin e njohur amerikan, por me kushte e barrierë politike, që do sigurojnë e kenë synim parësor interesin shoqëror .
E rëndësishme do të jetë politika amerikane për Irakun e luftën ndaj terrorizmit, që duket se nuk e ka pakësuar apo luftuar siç do të dëshironin të gjithë terrorizmin, përkundrazi hyrja në luftën e Irakut po i ngjan një rrethi vicioz të rrezikshëm e të pakapërcyeshëm sidomos nga administrata e Presidentit Bush. Çdo të bëjë Obama? Ka premtuar largimin e ushtrisë amerikane me disa faza…
Dhe tek e fundit ajo që do të ndikojë më shumë se cdo gjë në jetën tonë e të planetit në gjerësi ka të bëjë me politikën ambjentaliste të presidentit të ri. Probleme të panumurta, të vështtira për t’u realizuar e zgjidhur janë përpara tij. Një gjë është e sigurt më keq se cka qenë nuk do të jetë… sepse ndryshimi sapo ka ndodhur.
...