E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse shqiptarët i simpatizonin të dyja alternativat presidenciale në Amerikë?

Interesimi dhe publiciteti i madh që kishte arritur në tërë botën fushata parazgjedhore dhe zgjedhore për president të ri të SHBA-ve në mes të kandidatit republikan Mekein dhe atij demokrat Barak Obama, nuk e anashkaloi as shtetin tonë më të ri në botë-Republikën e Kosovës. Por, pa marrë parasysh se cili prej këtyre dy kandidatëve garues do ta merrte besimin e elektoratit qindramilionësh amerikan, ne në Kosovë u bindëm qartë se këtë ndërrim zgjedhor të njeriut të parë të “Shtëpisë së Bardhë”, nga ajo platformë e betonuar fuqishëm që nga koha e Bushit, Bill Klintonit demokrat, si dhe Bushit aktual junior, as një milimetër nuk do ta lëkundte politika aktuale e SHBA-ve ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi
Sido që të jetë, edhe përpos qëndrimit të balancuar institucional ndaj përkrahjes për njërin prej kandidatëve në këtë garë elektorale, realisht, në opinionin e gjerë kosovar, kudo dhe haptazi ka influencuar simpatia ndaj kandidatit demokrat Obama. Bile-bile, duke apeluar tek elektorati shqiptaro-amerikan në SHBA që votat e tyre t’ia adresojnë këtij kandidati, disa media dhe gazeta tona ditore edhe publikisht u renditën në krahun pro Obama. Në shikim të parë, ndoshta edhe z. Obama e ka merituar këtë simpati jo vetem të kosovarëve, por kudo në botë. Edhe jashtë premtimeve të tij politike joshëse nëpër fushata për ndryshimin e gjendjes ekzistuese në planin e brendshëm amerikan, të cilat më tepër do të jenë relevante për votuesin vendor, performanca orgjinale e paraqitjeve, karizmi dhe fuqia sugjestive mbresëlënëse e tij te masat, patjetër se kanë ndikuar në rritjen e simpatisë edhe të tjerëve jashtë kufijve të SHBA-ve për këtë kandidat.
Nëse nga një këndvështrim më të përsiatur i analizojmë shkaqet e kësaj simpatie Pro kandidatit presidencial Obama në Kosovë, përveç këtyre favoreve të theksuara, mendoj se patjetër ka ardhur në shprehje edhe elementi ynë tradicional etnik që animi i drejtësisë përherë të jetë në anën e më të dobëtit, më të përvuajturit dhe më të nënshtruarit. Fundja, në një krahasim me vetveten tonë si popull, edhe pse jo nga aspekti i diskriminimit racor, por etnik, ngjashëm na ishte edhe fati ynë historik gjatë shekujve. Duke i marrë për bazë të gjitha këto elemente, si dhe duke qenë gjithnjë i bindur se, pa marrë parasysh rezultatet e këtyre zgjedhjeve në SHBA, politika e përgjithshme e këtij shteti, aspak nuk do të ndryshojë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, edhe simpatitë e mija si individ, tërë kohën kanë qenë në anën e kandidatit demokrat Obama,
Por, pse isha për fitoren e Mekeinit? Sa zgjaste fushata e garës së ngushtë elektorale e të dy kandidatëve për president të SHBA-ve, lexoja me admirim analizat dhe opinionet e shumë ekspertëve tanë nga kjo fushë. Në mjaft sosh, qëndrimet rreth fitores së cilido kandidat presidencial në SHBA trajtohej me logjikë të arsyeshme dhe njohje të mirë të rrethanave ekzistuese si brenda përbrenda SHBA-ve, ashtu edhe ndikimit të tyre në zhvillimet e ardhshme të politikave globale. Kuptohet, me theks të veçantë në raportet e kandidatëve që do të kenë ndaj çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Diçka që e ndjeja si mangësi, e që më bënte të mos pajtohem me shumicën prej tyre, ishte pozicionimi i fokusimit analitik kah deklarimet publike të kandidatëve, pa i marrë parasysh edhe reflektimet e disa politikave të promovuara ndërkombëtare nga ta, e që tërthorazi dhe në mënyrë indirekte mund të ndërlidhen me çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Thënë bukëvalisht, kandidati demokrat Obama gjatë tërë fushatës së vetë elektorale, përfaqësonte një politikë të jashtme të butë, paqësore dhe negociuse ndërkombëtare amerikane. Ndërsa kandidati republikan Mekein ishte më i ashpër në këtë drejtim e posaçërisht dukshëm shihej favorizimi i tij i ruajtjes së dinjitetit nacional amerikan, e posaçërisht në raport me Rusinë, e cila, vitet e fundit, gjithnjë e më tepër po bëhet faktor tejet relevant në arenën politike ndërkombëtare
Nëse sërish kthehemi tek realiteti kosovar dhe në këtë kontest i vështrojmë raportet kosovare-serbe dhe situatën aktuale të krijuar pas shpalljes së pavarësisë, duhet pranuar se realiteti ekzistues aktual politik i raportit të forcave në këtë regjion, në rend të parë, shërbejnë si “kusuritje” të ndërsjella strategjike, gjeopolitike dhe ushtarake-ekonomike të dominimit në mes të këtyre dy superfuqive botërore (Rusi-SHBA), sesa që në dukje ato kanë të bëjnë me aspirata të shfrenuara të tekeve tona të sëmura nacionaliste ballkanike.
Pas fitores së demokratit Barak Obama, dhe zbatimit të një politike të butë dhe negociuse të SHBA-ve në të ardhmen me Rusinë, do ta favorizojnë atë që të vazhdoj me kulmimin e ndikimit të saj global politik. Forcimi rus në raporte ndërkombëtare, është edhe forcimi Serbisë në raporte me Kosovën dhe krijimi e motiveve për bashkësinë ndërkombëtare në drejtim të bërjes së sa më shumë koncesioneve ndaj saj. Mos të harrojmë se, në vlugun e fushatës presidenciale, në një pyetje të një gazetari se po të ishte ai president SHBA-ja dhe pas paraqitjes së ndonjë situate ekstreme, a do të intervenonte edhe me forcë ndaj Rusisë, ushtaraku tradicional Mekein, nuk e mohoi aspak edhe këtë mundësi si opsion.
Si një histori e vogël, vetëm shkurtimisht ta përkujtojmë vitin 1962, dhe “Krizën Kubane”, ku gjatë asaj kohe ishte në pushtet në SHBA kryetari i popullarizuar demokrat Xhon Kenedi dhe politika e jashtme liberale paksa më e butë e tij, të cilën, me dinakëri të madhe e shfrytëzoi BRSS-ja e atëhershme, në krye me Nikita Hrushovin. Ky moment historik ishte kulminant i “luftës së ftohtë” ekzistuese ndërmjet dy blloqeve ideologjikisht antagoniste, ku në sekondat e fundit u eliminua një konflikt i drejtpërdrejtë katastrofal nuklear ndërmjet SHBA-ve dhe BRSS-së, e cila, atëbotë, pretendonte që me çdo kusht të instalonte raketat e veta nukleare në territorin e Kubës. Në këtë kontest, si shembull, nuk duhet harruar ta përmendim edhe ish-presidentin e SHBA-ve, republikanin Ronald Regan, i cili me politikën e tij të ashpër antisovjetike e gjunjëzoi atë deri në shkatërrim të tërësishëm të këtij blloku ushtarak të njohur si “Pakti i Varshavës”. Po ashtu, nëse i shikojmë edhe reagimet e para pas fitores së Obamas në Rusi, do të shohim se kush më tepër është gëzuar me zgjedhjen e tij? Si po duket, më tepër janë gëzuar rusët! Ja pra, pse unë, në mes tjerash kam qenë pro fitores së republikanit Mekein në këto zgjedhje të fundit presidenciale në SHBA! Ja pra pse unë mendoj se politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës nuk duhet konceptuar si raport: “Serbia e dobët - Kosova në favor”, por me një logjikë të kundërt: “Rusia e dobësuar ndërkombëtarisht - Kosova në favor!”...
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›