E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia kërcënon Ukrainën për ëndrrën Europiane

Lufta tregtare” shtatë ditore mes Rusisë dhe Ukrainës, siç u quajt nga mediet e të dy vendeve përfundoi. Dogana ruse informoi të enjten (20.08.2013) palën ukrainase se nuk do të ketë më kontrolle shtesë. Këto kontrolle kishin të bënin me disa masa që pothuajse bllokuan të gjithë eksportin e produkteve ukrainase drejt Rusisë. Më 14 gusht Federata e Punëdhënësve Ukrainas dha alarmin. Rusia kishte klasifikuar si të "rrezikshme" të gjitha produktet ukrainase. Kjo do të thotë se doganat ruse do të kryenin kontrolle më të rrepta për produktet që hynin nga Ukraina. Nuk kishte rëndësi se çfarë ishte, ushqime apo tuba çeliku, gjithçka duhet të kontrollohej në imtësi. Në kufirin mes dy vendeve u krijua një radhë disa kilometra e gjatë me kamionë. Sipas Federatës së Punëdhënësve kjo bllokadë e rusëve mendohet t‘i ketë shkaktuar Ukrainës një dëm prej 2.5 miliard dollarësh.

Përplasja më e madhe tregtare që pas"luftës së gazit"

Kjo ishte përplasja më e madhe tregtare mes dy vendeve që pas „luftës së gazit“ në vitin 2006 dhe 2009 kur Rusia bllokoi tubacionet që çonin gaz drejt Ukrainës. Qeveria në Kiev u përpoq të anashkalonte incidentin e fundit. "Nuk do të ketë luftë tregtare", shkruante kryeministri Mykola Asarow në profilin e tij në Facebook. Ndërsa Presidenti Viktor Janukowitsch zhvilloi një bisedë telefonike me kolegun e tij Wladimir Putin, për të kërkuar një shpjegim nga Moska, por Putin heshti.

Se çfarë qëndron pas kësaj heshtjeje mbetet temë e spekulimeve. E përjavshmja e Kievit "Dserkalo Tyschnja" shkruan se „lufta tregtare“ është pjesë e një plani rus. Qëllimi i tij është që të parandalohet afrimi i Ukrainës drejt BE. Përveç të tjerave planifikohet që oligarkët e Ukrainës të vihen nën presion. Moska nga ana tjetër nuk e ka përgënjeshtruar ose konfrimuar këtë supozim./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›