E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia kërkon forcimin e marrëdhënieve me Kinën

Kryeministri rus Vladimir Putin zgjodhi Kinën për udhëtimin e tij të parë zyrtar, pas shpalljes së planit për të udhëhequr Rusinë në dekadën e ardhshme.

Kina ka kaluar tashmë Gjermaninë dhe është partneri tregtar më i rëndësishëm i Rusisë.

Tregtia midis dy vendeve është rritur me 55 për qind këtë vit dhe mund të trefishohet në fundin e këtij dhjetëvjeçari deri në 200 miliardë dollarë.

Prandaj Kryeministri Putin vizitoi Pekinin, për të forcuar marrëdhënien dypalëshe më të rëndësishme të vendit të tij.

Udhëheqësi rus foli mbi mundësitë për projekte të përbashkëta në fusha me teknologji të avancuar si hapësira, mjekësia, ndërtimi i avionëve dhe bioteknologjia.

Por pas udhëtimit dy ditor, marrëveshja më e rëndësishme ishte një investim kinez prej 1.5 miliardë dollarë, në një uzinë për shkrirjen e aluminit në Siberi.

Frika në rritje e Rusisë është shndërrimi i saj thjesht në një burim të leverdishëm për gaz, naftë, minerale, dru dhe lëndë të tjera të para për Kinën, ashtu siç është Kanadaja për Shtetet e Bashkuara.

Gjatë dekadës së parë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, një pjesë e madhe e eksporteve ruse drejt Kinës ishin me teknologji të avancuar, kryesisht aeroplanë ushtarakë dhe sisteme raketash.

Por, gjithmonë e më tepër, Rusia po ankohet se Kina po kopjon aeroplanët e saj ushtarakë Sukhoi dhe teknologji të tjera ushtarake të avancuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›